Stokholm, 29 shtator 2022 – Garda bregdetare e Suedisë ka identifikuar rrjedhjen e katërt të gazit në Detin Baltik, ka thënë një zyrtar i këtij shteti më 29 shtator.
Në këtë det kalojnë tubacionet e gazsjellësit Rrjedha Veriore, i cili çon gazin natyror nga Rusia në Gjermani.
Tri rrjedhje – dy në zonën e Danimarkës dhe një në zonën e Suedisë – janë zbuluar këtë javë në dy tubacione të mëdha ruse, Rrjedha Veriore dhe Rrjedha Veriore 2.
NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se rrjedhjet janë akt “sabotazhi” dhe janë zotuar se do të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike evropiane.
“Janë dy rrjedhje në anën suedeze dhe dy në anën daneze”, ka thënë një zyrtar i Gardës kufitare për mediat të enjten.
Asnjëri tubacion nuk ka qenë duke u përdorur në kohën e shpërthimeve të dyshuara, mirëpo ato kanë qenë të mbushura me gazin që është duke u derdhur në Detin Baltik prej 26 shtatorit – kur janë identifikuar rastet e para.
Sizmologët nga Suedia dhe Danimarka kanë thënë se kanë regjistruar shpërthime të fuqishme në këto zona të rrjedhjeve.
Këto njoftime kanë shtyrë policinë në Suedi që të nisë hetime për mundësinë e sabotazhit.
Rrjedhja e katërt është identifikuar në gazsjellësin Rrjedha Veriore 2, i cili gjendet në afërsi të Rrjedhës Veriore, kanë thënë zyrtarët.
Ky incident ka nxitur rritjen e çmimeve të gazit natyror në Evropë.
(REL)