Prishtinë, 15 mars 2023 – Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës u bë dorëzimi i çmimit kombëtar për vepër jetësore në letërsi “Azem Shkreli” dhe çmimeve vjetore për letërsi për vitin 2022.
Juria profesionale (Osman Gashi, kryesues dhe Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Gëzim Aliu dhe Azem Deliu, anëtarë) ka vendosur që çmimi për vepër jetësore në letërsi “Azem Shkreli” t’i jepet shkrimtarit Zejnullah Rrahmani, autor i rreth 30 veprave letrare dhe librave në fushë të teorisë e të kritikës letrare.
“Proza e Zejnullah Rrahmanit shënoi një hap cilësor përpara në kuadrin e përgjithshëm të prozës aktuale shqipe. Me shkëputje nga format tradicionale realiste, këndej e andej kufirit duke sjellë kështu frymën e prozës evropiane. Në prozën e tij, Rrahmani i thyen shpeshherë kufijtë e zhanrit letrar dhe shpalos një botë njerëzore të përgjithshme”, deklaroi kryesuesi i jurisë, Osman Gashi.
Juria profesionale ka ndarë edhe pesë çmime për vitin 2022.
Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” iu dha Veli Karahodës, për romanin ” Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”. Çmimi për veprën më të mirë për poezi “Ali Podrimja” iu dha Sabit Bajraktarit, për librin “Noah”. Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu dha Haqif Mulliqit për veprën “Henrik Ibseni fryma e parë e modernes”. Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” iu dha Meliza Krasniqit për përkthimin e veprës “Arti i fiksionit” të David Lodge.
Çmimi për veprën për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” nuk është ndarë, pasi juria ka vlerësuar se gjatë vitit 2022 nuk ka pasur ndonjë vepër me vlera të larta artistike.
Fituesi i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”, Zejnullah Rrahmani, nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve. Në vend të tij, çmimin e pranoi i vëllai, shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani.
”Ai më porositi që në emër të tij t’ju përshëndes dhe të falënderoj jurinë, ministrin dhe Ministrinë për vlerësimin që i është bërë”,deklaroi Rrahmani.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se ministria që e drejton ai ka qëllim të japë mbështetje sa më të madhe për krijuesit e letërsisë dhe të krijuesve të të gjitha fushave të artit e kulturës.
(r.m.)