Prishtinë, 16 shkurt 2024 – Çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, u shndërrua në çështje përplasjesh ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe diplomacisë perëndimore, që kërkon më shumë kohë për zbatimin e kësaj mase të re.
Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër autoritetet e Prishtinës dhe i kanë bërë thirrje të tërhiqet. Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se qeveria e Republikës së Kosovës duhet të tregohet e ndërgjegjshme mbi ndikimin që mund të ketë ndalimin i përdorimit të dinarit në Kosovë, “mbi prishjen ose mirëqenien e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sipas tij, dëmtimi i marrëdhënieve mes Prishtinës e Uashingtonit do të kishte ndikim negativ tek perceptimi që investitorët e huaj do të kishin për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, sikurse përmendëm, çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë ka çuar në përplasje të qeverisë së vendit tuaj me aleatët perëndimorë, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë për zbatimin e vendimit mbi këtë çështje. Oda juaj ka propozuar disa alternativa për këtë situatë. Cila është rrugëdalja, sipas jush?
Arian Zeka: Ne si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë kemi pasur dy qëndrime përkitazi me këtë çështje. Me qëndrimin e parë, i kemi bërë thirrje qeverisë së Kosovës që edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të valutave të huaja, në këtë rast të dinarit serb në Kosovë, por edhe për çështje të tjera, të vijojë konsultimet dhe koordinimet e ngushta me partnerët ndërkombëtarë strategjikë. Ne kemi rikujtuar Qeverinë e Republikës së Kosovës se përgjatë gjitha këtyre viteve, gati në tri dekadat e fundit, të gjitha arritjet e Kosovës, i dedikohen pikërisht koordinimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të vendit me ata ndërkombëtarë.
Në qëndrimin e dytë, të para disa ditëve, ne kemi shprehur besimin tonë që, megjithatë, rregullorja e Bankës Qendrore e Kosovës lexon në mënyrë të ngushtë dhe rrjedhimit interpreton në mënyrë jo të duhur dispozitat ligjore, të cilat kanë të bëjnë me përdorimin e një valute të vetme. Përderisa ne e mirëkuptojmë që përpjekja synon që të kontrollojë stabilitetin financiar, pra të mbajë nën kontroll stabilitetin financiar dhe objektivat e tjera të cilat synohen nga ana e Bankës Qendrore, ne megjithatë besojmë fuqishëm që rregullorja në mënyrë jo të duhur pretendon që në këtë mënyrë të përjashtohen nga përdorimi valutat e tjera. Ne besojmë që valutat e tjera, në këtë rast edhe dinari serb, mund të përdoren në transaksione për aq kohë sa palët e përfshira në atë transaksion dakordohen në mënyrë reciproke për përdorimin e një valute të tillë. Siç e thatë edhe ju, ne kemi dhënë tri alternativa, ku alternativa e tretë është alternativa më fizibile, pra më e realizueshme dhe ajo ka të bëjë me mundësimin e qarkullimit të parave nga llogaritë bankare të një banke të caktuar në Serbi, në një bankë komerciale të përzgjedhur në Kosovë, e cila pastaj do të mundësonte shpërndarjen e mjeteve financiare ose monetare, në këtë rast në dinar, të pranuesit ose përfituesit në Republikën e Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë amerikan, përfshirë ndihmës Sekretarin e Shtetit James O’Brien i kërkuan qeverisë së Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin duke theksuar se me qasjen e saj ajo ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Në gjykimin tuaj, sa është dëmtuar ky partneritet mes Prishtinës dhe Uashingtonit për shkak të kësaj vendimmarrje?
Arian Zeka: Uroj që kjo, thjesht, të jetë një paralajmërim i hershëm për mundësinë e dëmtimit të reputacioneve ndoshta në një shkallë, e cila pastaj do të kërkonte një kohë më të gjatë edhe energji më të madhe për rekuperimin e raporteve. Megjithatë dëshiroj të besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës do të tregohet e ndërgjegjëshme dhe do të kuptojë peshën e një ndikimi që vendimi i saj, në këtë rast për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, mund të ketë në prishjen e raporteve ose mirëqenien e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithmonë rikujtohet edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe nga ana e zyrtarëve më të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës që raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i një rëndësie kruciale për aq kohë sa ndoshta Shtetet e Bashkuara ka luajtur rolin më të madh në çlirimin e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe më tutje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Nuk besoj që këtë e kanë harruar institucionet e vendit, por megjithatë një lloj zelli për të dëshmuar që ne jemi një shtet sovran realisht mund të çojë edhe në vendime të nxituara dhe të gabuara, në të njejtën kohë.
Zëri i Amerikës: Ju përmendet reagimet dhe efektet që kjo mund të ketë në rrafshin politik. Por, cilat mund të jenë pasojat e dëmtimit të këtij partneriteti në rrafshin ekonomik për Kosovën?
Arian Zeka: Besoj fuqishëm që kjo do të kishte ndikim negativ në aspektin e perceptimit që investitorët e huaj, ata amerikanë dhe të tjerë, do të kishin për Kosovën. Kosova edhe ashtu nuk gëzon një reputacion të mirë në mesin e komunitetit global afarist. Kjo ndoshta është një nga arsyet kryesore pse ne nuk arrijmë të tërheqim korporatat e fuqishme globale të investojnë në Kosovë. Natyrisht që dëmtimi i raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të kishte ndikimin më të madh në aspektin e perceptimit. Edhe ne, Oda Ekonomike Amerikane, kemi thënë para disa ditësh që një ndikim i tillë negativ vjen edhe nga ana e sanksioneve që tashmë janë vendosur ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian. Pra, përtej ndikimit monetar, humbjes së mundësive të përfitimit nga asistenca e Bashkimit Evropian, ndikimi më i madh negativ do të ishte pikërisht në reputacionin e Kosovës. Pra, nëse dy prej partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, do të hiqnin mbështetjen e tyre për Kosovën, atëherë kjo do të kishte ndikim tejet të madh në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Zoti Zeka, Banka Qendrore e Kosovës vendosi për një periudhë kalimtare tre muaj. Ju jeni shprehur se kjo periudhe nuk është e mjaftueshme. Cili është sugjerimi juaj konkret për këtë?
Arian Zeka: Sa për sqarim, ne nuk kemi komentuar fare për çështjen e tranzicionit që ka ofruar Banka Qendrore e Kosovës. Në thelb bëhet fjalë për një keqinterpretim të dispozitave ligjore, të cilat pastaj kanë mundësuar një përmbajtje jo të saktë të rregullores në fjalë. Ne do të donim të përsërisnin edhe njëherë thirrjen tonë për Bankën Qendrore të Kosovës dhe institucionet e tjera ekzekutive dhe legjislativin e vendit që këtë çështje ta koordinojnë, ta diskutojnë më tej me partnerët ndërkombëtar, në mënyrë që çfarëdo ndikimi afatshkurtër negativ, që prek një komunitet të caktuar në Kosovë të eliminohet dhe pasojat e këtij vendimi qofshin ato edhe afatshkurtra të mos cënojnë ose rëndojnë jetën e pjesëtarëve të këtij grupi etnik.
Zëri i Amerikës: Zoti Zeka ju i keni kërkuar disa herë qeverisë së Kosovës të heqë masat kufizuese ndaj importeve nga Serbia, pasi një vendim i tillë sipas jush ka prekur edhe importet nga kompanitë në pronësi amerikane. Cila ka qenë përgjigjja e qeverisë ndaj kërkesës suaj?
Arian Zeka: Në fakt, nëse e mbaj në mend saktë, në korrik të vitit të kaluar ne kemi pasur një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier dhe disa përfaqësues të kompanive që operojnë në Kosovë, në të cilin unë i kërkova kryeministrit që ta heqë këtë ndalesë. Ai u përgjigj duke thënë se nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim. Pra, ky është paradoksi më i madh dhe ironia në këtë situatë sepse nuk ka një vendim të institucioneve të caktuara në Kosovë, që ndalon importin e mallrave, por ka një masë që lidhet ose arsyetohet me aspektet e sigurisë. Megjithatë, po flasim për një masë që tashmë ka kaluar shtatë deri tetë muaj dhe ajo vazhdon të jetë në fuqi. Gjatë këtyre ditëve dhe javëve të shkuara nuk ka pasur ndonjë informatë tjetër.
(Zëri i Amerikës)