Kiev, 19 janar 2023 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “nuk ka aksidente në kohë lufte”, pasi 14 persona kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të një helikopteri afër kryeqytetit ukrainas, Kiev më 18 janar.
Ukraina nuk ka pretenduar përfshirjen ruse, mirëpo Zelensky i ka thënë Forumit Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos, se tragjedia ka qenë pasojë e luftës.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky, ka vdekur bashkë me kolegët e tij.
Helikopteri është rrëzuar në orët e mëngjesit të së mërkurës afër Kievit dhe njëri prej viktimave ka qenë fëmijë.
Vdekja e Monastyrskyt ka ndikim të madh në Qeverinë e Kievit, pasi Ministria e Brendshme ka detyrë të rëndësishme në ruajtjen e sigurisë dhe menaxhimin e policisë në kohë lufte.
Ai ka qenë figurë e njohur përgjatë luftës, pasi ka bërë shpesh përditësimin e numrit të viktimave të shkaktuara nga sulmet ruse, prej kur Moska ka nisur luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Zelensky, po ashtu, e ka shfrytëzuar video-adresimin në Davos për t’iu bërë thirrje aleatëve që të dërgojnë më shpejt armët në Ukrainë, para se të nisë ofensiva e re ruse.
“Koha që e përdor bota e lirë për të menduar, shfrytëzohet nga shteti terrorist për të vrarë”, ka sqaruar ai.
Kjo deklaratë është interpretuar si kërkesë për Gjermaninë që të ngutet për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.
Ka pasur raportime se Berlini nuk ka gatishmëri për të nisur këto pajise, nëse Shtetet e Bashkuara nuk zotohen për të dërguar në luftë tanket e tyre Abrams.
Ditë më parë edhe Mbretëria e Bashkuar është zotuar se do të nisë tanket e veta në Kiev.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Ukraina do të përfitojë “më shumë armë të rënda dhe më moderne”.
Ai ka thënë se vendet anëtare të aleancës veri-atlanetike, do të takohen të premten për të diskutuar se çfarë pajisje ushtarake do të dërgohen në Kiev.
(REL)