Zelensky dhe Lavrovi optimistë rreth bisedimeve për paqe

Moskë / Kiev, 16 mars 2022 – Rusia tha të mërkurën se disa pjesë të një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Ukrainën ishin afër arritjes pasi Kievi ra dakord të diskutonte neutralitetin.

“Statusi neutral tani po diskutohet seriozisht së bashku, natyrisht, me garancitë e sigurisë”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për RBC news.

Ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin, kishte folur për neutralitetin, së bashku me garancitë e sigurisë për Ukrainën pa zgjerimin e NATO-s, si një variant i mundshëm në shkurt.

Lavrovi shtoi se bisedimet për paqe ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës nuk janë “të lehta”, por ka “shpresë për kompromis”.

“Unë flas nga vlerësimet e bëra nga negociatorët tanë”, tha Lavrov.

Ai shtoi se problemet nuk kanë të bëjnë vetëm me neutralitetin dhe çmilitarizimin e Ukrainës, por edhe me sigurinë për njerëzit në Ukrainën lindore – ku janë zonat e Donjeckut dhe Luhanskut të kontrolluara nga rebelët.

Edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ka progres në bisedimet e paqes, pas rundit të negociatave të së martës.

Gjatë një video-fjalimi, Zelensky tha se “pozicionet në negociata tashmë duken më realiste”, por shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.

Por, sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se është skeptike për bisedimet e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Unë jam skeptike në lidhje me bisedimet e paqes, derisa Putini është ende duke bërë luftë në Ukrainë. Ai duhet të zbatojë një armëpushim dhe t’i tërheqë trupat e tij që bisedimet për paqe të merren seriozisht”, tha Truss për BBC.

Ajo theksoi se Vladimir Putin ka përdorur “armë të tmerrshme dhe forcë të tmerrshme” për pushtimin e Ukrainës.

Bisedimet ndërmjet negociatorëve rusë dhe ukrainas do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

(REL)