Tiranë, 28 prill 2022 – Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky, do t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë më 3 maj përmes video-lidhjes, njoftuan të enjten, 28 prill, mediat vendore në Shqipëri.
Zelensky do t’i drejtohet Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë – nga fillimi i luftës – nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur Ukrainën në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.
Adresimi në Kuvendin e Shqipërisë pason një telefonatë që Zelensky i ka bërë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në javët e para të luftës në Ukrainë për t’iu falënderuar këtij të fundit për përkrahjen dhe kontributin e Shqipërisë ndaj Ukrainës.
Shqipëria është rreshtuar me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, në mbështetjen e Ukrainës, duke bashkëvepruar me aleatët në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke kontribuar në koordinimin politik në NATO dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta dënuar pushtimin rus.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë përkrahur rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënon sulmin rus në Ukrainë dhe së fundi kanë nisur iniciativë për dokumentimin dhe hetimin e krimeve të luftës përmes OKB-së në këtë konflikt.
Ndonëse Shqipëria nuk varet nga gazi rus dhe nuk ka ndonjë marrëdhënie të theksuar tregtare me Rusinë dhe Ukrainën, edhe ajo është përballur me rritje të çmimeve, si pasojë e luftës.
Përkundër një sërë masash të ndërmarra nga Qeveria shqiptare për t’i adresuar pasojat ekonomike dhe koston e produkteve elementare, përfshirë energjinë elektrike, pakënaqësia sociale është manifestuar me protesta të shumta gjithandej Shqipërisë, ndër shtetet më të varfra në Evropë.
(REL)