Kiev, 4 prill 2022 – Tymi e mbulon qiellin mbi qytetin e Odesës. Autoritetet lokale thonë se ky qytet port të Ukrainës, i njohur si “Perla e Detit të Zi”, është goditur me raketa nga forcat ruse.
Në Odesa ndodhet edhe selia e marinës ukrainase. Një përfaqësues i ministrisë ruse të mbrojtjes tha se anijet dhe avionët rusë qëlluan objektet e përpunimit të naftës dhe depot e karburantit, të cilat sipastij u ofronin mbështetje trupave ukrainase. Një zyrtar ukrainas tha se kjo është një praktikë e ndyrë e shkatërrimit të infrastrukturës jetike.
Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon për të gjashtën javë, trupat ukrainase thonë se po fitojnë terren dhe se forcat ruse po tërhiqen. Por, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëron për gjendjen e rënduar të civilëve që jetojnë mes minave, mjeteve luftarake dhe kufomave në rrugë. Nga frika e minave-kurth, në qytetin Buça ushtarët ukrainas i tërheqin kufomat me kabllo.
“Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Këtu jetojnë mbi 100 kombësi. Këtu bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha kombësive. Ne nuk duam t’i nënshtrohemi politikës së federatës ruse. Prandaj po shkatërrohemi”, tha presidenti Zelesnky.
Kryebashkiaku i Buçës tha se truoat ruse derisa po tërhiqeshin I ekzekutuan civilët me duart e lidhura pas shpine.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha se Rusia ka kryer krime lufte.
“Nuk mund të rrimë në heshtje. Kjo që po ndodh nuk pshtë normale. Ky është realiteti i asaj që po ndodh, ndërsa Rusia vazhdon agresionin kundër Ukrainës. Prandaj duhet të marrë fund”, tha zoti Blinken.
Pavarësisht provave në rritje, Rusia mohon se ka shënjestruar civilët. Por, një këshilltar i presidencës ukrainase përshkruan dëshmitë e krimeve të luftës.
“Mes viktimave të krimeve ruse gjenden gra të përdhunuara të cilat ata u përpoqën t’i digjnin, vranë zyrtarë të qeverisjes lokale, fëmijë, të moshuar, burra – shumë prej të cilëve me duar të lidhura – pasi u torturuan u qëlluan në pjesën e pasme të kokës”, tha Oleksiy Arestovych.
Trupat ukrainase rimarrin kontrollin e territorit pas tërheqjes së forcave ruse.
Sekretari Blinken udhëton drejt Brukselit për një takim me NATO-n, ku do të bisedojë me homologët rreth vendosmërisë së aleancës për të kërkuar përgjegjësi ndaj Rusisë.
(Zëri i Amerikës)