Zelensky e akuzon Rusinë për vrasje të qëllimshme të civilëve

Kiev, 7 mars 2022 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi ushtrinë ruse se forcat e tij “do të ndjekin deri në varr çdo ushtar që kryen krime lufte” në Ukrainë.

Ushtarët rusë “do të përballen me ditën e gjykimit” për “vrasje të qëllimshme”, tha ai në një adresim nga Kievi.

“Ne nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t’i ndëshkojmë të gjithë ata që kryejnë mizori në këtë luftë. Në tokën tonë”, tha Zelensky.

“Nuk do të ketë vend të qetë në këtë tokë për ju, përveç varrit”, shtoi ai.

Zelensky u kërkoi udhëheqësve perëndimorë që të ndërmarrin veprime më të fuqishme kundër Moskës, duke thënë se “guximi i agresorit është një sinjal i qartë për Perëndimin, se sanksionet kundër Rusisë nuk janë të mjaftueshme”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sot do të hapë korridore të reja humanitare në disa qytete të Ukrainës, për të lejuar evakuimin e civilëve. Sipas saj, armëpushimi do të bëhet në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Harkiv, Mariupol dhe Sumi.

Të gjitha këto qytete janë duke u sulmuar nga forcat ruse.

Pala ukrainase nuk e ka konfirmuar ende armëpushimin.

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e mbi 360 civilëve në luftimet në Ukrainë.

Luftimet kanë detyruar edhe mbi 1.5 milion njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre.

(REL)