Kiev, 21 mars 2022 – Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në të ardhmen mund të jetë vend nikoqir i negociatave të nivelit të lartë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Kryeministri i Izraelit, (Naftali) Bennett është duke tentuar të gjejë zgjidhje për organizimin e bisedimeve”, ka thënë Zelensky, përmes një video-adresimi.
“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tij dhe herët apo vonë ne do të nisim bisedimet me Rusinë, me mundësi në Jerusalem”.
“Ky është vendi i duhur për të gjetur paqe, nëse është e mundshme”, ka thënë ai.
Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi ai i është adresuar Parlamentit të Izraelit – përmes video-linkut – të dielën.
Presidenti Zelenskyy paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do të thoshte se “kjo është Lufta e Tretë Botërore”.
“Unë mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte”, tha ai për rrjetin televiziv CNN, të dielën.
Zoti Zelenskyy tha se Ukraina nuk do të heqë dorë nga sovraniteti dhe integriteti i saj territorial.
“Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të pamunura”, tha ai.
(Sipas REL)