Kiev, 19 mars 2022 – Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje të shtunën për bisedime gjithëpërfshirëse me Moskën për të ndaluar sulmin e saj ndaj Ukrainës, duke thënë se përndryshe Rusisë do t’i duheshin disa breza për të rikuperuar humbjet e saj në këtë luftë.
Forcat ushtarake ruse kanë pësuar humbje të mëdha dhe përparimi i tyre kryesisht ka ngecur që kur Presidenti rus Vladimir Putin nisi sulmin më 24 shkurt.
Megjithatë, trupat ushtarake ruse kanë rrethuar qytete, duke i kthyer në rrënoja zonat urbane dhe ditët e fundit kanë intensifikuar sulmet me raketa ndaj objektivave të ndryshëm në Ukrainën perëndimore, larg nga fushat kryesore të betejës në veri dhe lindje të vendit.
Të shtunën, Rusia tha se raketat e saj hipersonike kanë shkatërruar një depo të madhe nëntokësore raketash e armatimesh për avionë luftarakë në rajonin perëndimor Ivano-Frankivsk. Armët hipersonike mund të lëvizin më një shpejtësi pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Agjencia ruse Interfax tha se ishte hera e parë që Moska i kishte përdorur ato në Ukrainë.
Një zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës konfirmoi sulmin, por tha se pala ukrainase nuk kishte informacion mbi llojin e raketave të përdorura.
Autoritetet ukrainase thanë të shtunën se nuk kanë parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm gjatë 24 orëve të fundit në zonat e vijës së parë të frontit, duke vënë në dukje se qytetet e Mariupolit, Mikolaivit dhe Khersonit në jug, apo dhe Iziumi në lindje, vazhdonin të ishin objektiva të luftimeve më të ashpra.
Më shumë se 3.3 milionë refugjatë janë larguar tashmë nga Ukraina përmes kufirit të saj perëndimor, rreth 6 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, në një përpjekje për t’iu shmangur bormbardimeve.
Përpjekjet për evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara përmes korridoreve humanitare vazhduan edhe sot.
Autoritetet ukrainase thane se shpresonin të hapnin 10 rrugë të tilla të shtunën.
Sanksionet e paprecedentë perëndimore që synojnë të gjymtojnë ekonominë e Rusisë nuk e kanë detyruar ende Presidentin Putin t’i japë fund atij që e quan një operacionit special ushtarak për të çarmatosur fqinjin e saj dhe për ta pastruar atë nga “nazistët”, sikurse thotë ai. Kievi dhe aleatët e tij e kanë quajtur këtë një pretekst të pabazë për luftë.
(Zëri i Amerikës)