Kiev, 7mars 2022 – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri sot thirrje Perëndimit për vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Moskës. Kërkesa e tij vjen ndërsa forcat ruse vazhdojnë bombardimin e qyteteve ukrainase, që sipas Kombeve të Bashkuara kanë shkaktuar vdekjen e qindra civilëve dhe kanë detyruar mbi 1.7 milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ushtria ukrainase ndihmon civilët të largohen nga qyteti Irpin, rruga e vetme e shpëtimit nga bombardimet e intensifikuara ruse në qytetin, që ndodhet 24 kilometra larg Kievit.
Mes shpërthimeve dhe zjarrit që po digjte shtëpitë e tyre, banorët nxitojnë të gjejnë mënyra për t’u larguar drejt Polonisë, ose vendeve tjera të sigurta.
Policia ukrainase njoftoi se vetëm nga Irpini janë evakuuar rreth 2 mijë civilë, por pa dhënë hollësi se për çfarë periudhe bëhet fjalë.
“Kishte shpërthime të vazhdueshme, disa ishin të fuqishme dhe shumë afër nesh. Ata goditën shtëpitë e fqinjëve. Afër shtëpisë sonë pamë njerëz të vdekur në makinat e tyre… ishte e frikshme”, thotë Inna Scherbanyova, banore e Irpinit.
“Ata qëllonin shtëpitë dhe njerëzit. Një grua dhe fëmija i saj 13 vjeçar u vranë. Të gjitha shtëpitë janë shkatërruar. Shumë pak njerëz kanë ngelur atje. Është e rëndë dhe e frikshme. K o luftë është gjenocid kundër Ukrainës”, thotë Galya Fedorchuk.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kërkoi nga Perëndimi ashpërsimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Nëse sulmi vazhdon dhe Rusia nuk ndalon planet kundër Ukrainës, duhet një paketë e re sanksionesh, kundër luftës dhe në shërbim të paqes. Duhet të bojkotohen prodhimet ruse, në veçanti nafta dhe produktet e naftës nga Rusia. Mund të quhet embargo ose çështje morale, ku ju refuzoni të financoni terroristët”, tha zoti Zelenskyy.
Presidenti ukrainas ritheksoi kërkesën e tij për shpalljen e zonave të ndalim-fluturimit, ndihmën me avionë luftarakë, ose sistem të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga sulmet ruse.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me më shumë vendosmëri. Kur dikush humbet mendjen, ne duhet të harrojmë frikën dhe tregëtinë. Duhet të mbrohemi”, tha zoti Zenelskyy
Numri i përgjithshëm i të vdekurve mbetet i paqartë. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një numri të madh civilësh por gjithashtu kanë paralajmëruar se shifra mund të jetë shumë herë më e lartë. Policia në rajonin e Kharkivit tha të hënën se vetëm atje 209 persona kanë humbur jetën, prej tyre 133 civilë.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të dielën se fushata e tij në Ukrainë po shkon sipas planit dhe se Moska nuk do të ndalet derisa Kievi të ndërpresë luftimet.
Ai deklaroi këtë gjatë një telefonate me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili bëri thirrje për armëpushim, kërkesë e ngjashme me atë të presidentit francez Macron, gjatë një telefonate dy orëshe me presidentin Putin të dielën.
Mbi 1.7 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, thonë Kombet e Bashkuara, në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sulmi rus është dënuar nga shumë vende të botës që kanë vendosur sanskione të ashpra ndaj Moskës, të cilat e kanë izoluar Rusinë në një shkallë të paparë.
Presidenti rus Putin i ka quajtur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë si shpallje lufte.
(Zëri i Amerikës)