Zelensky: Putini nuk është i interesuar për negociata për paqe

Kiev, 16 nëntor 2024 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk është i interesuar që të mbajë negociata për t’i dhënë fund luftës, por dëshiron të mbajë bisedime me udhëheqësit e huaj për t’i dhënë fund izolimit të tij ndërkombëtar”.

Zelensky e bëri këtë deklaratë të shtunën, më 16 nëntor, një ditë pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin.

“Mendoj se Putini aspak nuk do paqe, por kjo nuk nënkupton se ai nuk dëshiron që të ulet me disa nga udhëheqësit [në tavolinën e negociatave]. Sepse për të, izolimi politik nënkupton shkatërrim. Është shumë fitimprurëse për të që të ulet, të bisedojë dhe të mos pajtohet”, tha Zelensky, në një intervistë për transmetuesin publik ukrainas.

“Ai nuk mund të udhëtojë dhe negociatat nënkuptojnë se ai mund të shkojë diku… Kjo do të nënkuptonte fundin e izolimit për të”, theksoi ai.

Zelensky tha se Ukraina do t’i japë fund konfliktit sa më shpejt që të jetë e mundur, ndonëse e pranoi se situata në fushëbetejë në lindje të vendit është e vështirë, pasi ushtria ukrainase ka më pak ushtarë dhe më pak armë se ushtria ruse.

“Sa na përket neve, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë përmes diplomacisë”, tha Zelensky.

Ai tha se dëshiron të bisedojë direkt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump,e jo përmes ndërmjetësve, por shtoi se, sipas ligjeve amerikane, një kontakt i tillë është i pamundur para se Trump ta marrë detyrën.

“Si president i Ukrainës do ta marr seriozisht vetëm bisedën me presidentin e SHBA-së, me gjithë respektin që kam për njerëzit e tjerë”, theksoi Zelensky.

Presidenti ukrainas e kritikoi kancelarin gjerman që zhvilloi bisedë telefonike me Putinin, duke vlerësuar se kjo bisedë e ka hapur, siç tha, “Kutinë e Pandorës”, duke minuar përpjekjet për të izoluar Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “përmes paqes së drejtë”.

(r.m.)