Zelensky: Ukraina nuk do të përkulet kurrë para ultimatumeve të Rusisë

Kiev, 21 mars 2022 – “Ukraina nuk do të përkulet kurrë para ultimatumeve të Rusisë dhe qytetet si Kievi, Mariupoli apo Harkivi nuk do ta pranojnë okupimin rus”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, për transmetuesin publik të Ukrainës.

“Ne kemi ultimatume me pika si ‘ndiqni këto pika dhe ne do t’i japim fund luftës’. Ukraina nuk mund t’i përmbushë këto ultimatume”, tha Zelensky.

Rusia i kishte dhënë afat Ukrainës deri të hënën në mëngjes që të dorëzohej në qytetin-port të Mariupolit, i cili është i rrethuar nga forcat ruse. Moska kishte thënë se civilëve dhe luftëtarëve ukrainas do t’u garantohej largimi i sigurt nga ky qytet, në qoftë se ata do t’i dorëzonin armët brenda afatit të caktuar nga Rusia.

Ukraina e refuzoi kategorikisht ultimatumin rus, duke theksuar se kurrë nuk do të dorëzohet para agresionit rus.

Rusia e konsideron Mariupolin si pikë strategjike për realizimin e aspiratave për krijimin e lidhjes midis gadishullit të Krimesë që është shpallur territor rus dhe dy rajoneve separatiste në Donbas.

Forcat ruse kanë bombarduar pa ndërprerë Mariupolin, por forcat ukrainase vazhdojnë të përballojnë  me sukses, pavarësisht prej viktimave dhe dëmeve të mëdha materiale.     

(r.m.)