Kiev, 22 korrik 2023 – Forcat ruse goditën gjatë natës 11 rajone anembanë Ukrainës, duke vrarë të paktën tetë civilë. Njoftimi u bë nga autoritetet lokale ukrainase.
Sipas tyre, të paktën gjashtë persona humbën jetën në rajonin lindor të Donetskut, ku po zhvillohen luftime të ashpra mes përpjekjesh të Kievit për të larguar trupat ruse nga territoret e pushtuara.
Autoritetet ukrainase thanë gjithashtu se tre civilë u plagosën ndërsa trupat ruse bombarduan gjatë natës një qytet pranë centralit bërthamor të Zaporizhias.
Të shtunën në mëngjes forcat ajrore ukrainase njoftuan se gjatë natës kishin rrëzuar 14 dronë rusë që ishin lëshuar në drejtim të juglindjes së vendit, ku gjithashtu po zhvillohen luftime të ashpra.
Të premten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se goditja e urës së Krimesë ishte një objektiv i përligjur.
Ura e cila lidh Krimenë me Rusinë, u godit të hënën dhe si pasojë dy persona humbën jetën ndërsa një pjesë e urës doli jashtë funksionit.
Në një paraqitje me video në Konferencën e Sigurisë së Aspenit që mbahet në Shtetet e Bashkuara zoti Zelenskyy tha se “ura është përdorur për të ushqyer luftën me municione gjë që po ndodh çdo ditë”.
Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj urës, megjithatë Moska fajëson Kievin mbi këtë çështje.
Të premten, zoti Zelenskyy zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, lidhur me përpjekjet e koordinuara për të rinisur transportin e grurit nga Ukraina, bazuar në një marrëveshje nga e cila Moska hoqi dorë pak ditë më parë.
Zoti Zelenskyy e quajti zhbllokimin e këtij korridori të eksportit të grurit, një prioritet absolut.
“Për shkak të veprimeve të Rusisë, bota është sërish në prag të një krize ushqimore”, tha ai. “400 milionë njerëz, në Afrikë dhe Azi, janë në rrezik nga uria. Me përpjekje të përbashkëta, ne duhet të shmangim krizën globale të ushqimit”, shtoi ai më tej.
Ndërkohë Guvernatori i rajonit rus të Belgorodit Vyacheslav Gladkov tha të shtunën se Ukraina kishte goditur me bomba thërrmuese të premten një fshat pranë kufirit me Ukrainën. Por ai shtoi se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme materiale.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur deklaratën e guvernatorit, të bërë gjatë një konferencë të përditshme në kanalin e tij në ‘Telegram’, por pa dhënë prova vizuale. Kievi nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këto zhvillime.
Këtë muaj Ukraina u furnizua me bomba thërrmuese nga Shtetet e Bashkuara dhe është zotuar t’i përdorë ato vetëm për të sprapsur trupat ruse nga rajone të ndryshme të vendit.
Kievi ka thënë vazhdimisht se përdorimi i tyre do të jetë i kufizuar në fushëbetejë.
(Zëri i Amerikës)