Kiev, 18 qershor 2022 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vizitoi rajonin e Mykolaivit, ku u takua me trupat ushtarake që po luftojnë në vijën e frontit jugor, njofton Zëri i Amerikës.
Lajmi u njoftua të shtunën nga vetë zoti Zelensky i cili nuk dha detaje se kur e kishte vizituar këtë rajon.
Në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në ‘Telegram” shihet presidenti Zelensky duke dorëzuar medalje dhe duke pozuar për fotografi me ushtarët ukrainas, në një vend që duket i strehim nëntokësor.
“Burrat tanë trima. Secili prej tyre po punon pa ngurrim. Ne do të vazhdojmë të rezistojmë e me patjetër do të fitojmë”, shkruan ai.
Në fillim të muajit mars forcat ruse arritën deri në periferi të Mykolaivit, por më pas iu drejtuan skajeve lindore e jugore të rajonit, ku luftimet vazhdojnë.
Zyra e zoti Zelensky njoftoi se presidenti e vizitoi edhe qytetin dhe inspektoi një ndërtesë të administratës rajonale, të shkatërruar nga një sulm me raketë nga forcat ruse, në fund të muajit mars, ku qenë vrarë 37 persona. Ai e vizitoi edhe një spital në këtë qytet.
Në një deklaratë të veçantë, Presidenti Zelensky e vlerësoi punën e kryebashkiakut të Mykolaivit, Oleksandr Senkevych, dhe të guvernatorit Vitaliy Kim, gjatë katër muajve të agresionit rus ndaj Ukrainës.
(r.m.)