Zelensky: Zona e ndalim-fluturimit do të parandalonte katastrofën humanitare

Kiev, 9 mars 2022 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se nëse nuk shpallet zona e ndalim-fluturimit për të mbrojtur Ukrainën, komuniteti ndërkombëtar do të jetë përgjegjës për katastrofë të madhe humanitare.

Zelenskiy ka thënë më 9 mars se Rusia ka rritur shkallën e sulmeve në ditën e 14-të të luftës dhe se bota nuk mund të rri duarkryq.

“Rusia përdor raketa, aeroplanë dhe helikopterë kundër nesh, kundër civilëve, kundër qyteteve tona, kundër infrastrukturës tonë. Është detyrë humanitare e botës që të përgjigjet”, ka thënë ai.

NATO-ja ka hedhur poshtë mundësinë e zbatimit të ndalim-fluturimit për shkak të shqetësimeve të përballjes së drejtpërdrejtë me Rusinë.

Zelensky u ka bërë thirrje fuqive të Perëndimit që menjëherë të zgjidhin ofertën polake, e cila do t’i mundësonte shtetit të tij të furnizohej me aeroplanë luftarakë rusë MiG-29 – një lloj i aeroplanit luftarak që pilotët ukrainas dinë si ta përdorin.

Më 8 mars, Uashingtoni ka hedhur poshtë idenë e Polonisë për t’ia dorëzuar SHBA-së aeroplanët rusë në bazën ajrore amerikane në Gjermani.

Uashingtoni ka thënë se një veprim i tillë mund të përshkallëzojë konfliktin.

“Kur do të merret vendimi? Dëgjoni: Ne jemi në luftë! Ne nuk kemi kohë për këto shenja. Ky nuk është pingpong. Këto janë jetë njerëzish. Ne po bëjmë thirrje sërish: Zgjidheni shpejt. Mos u largoni nga përgjegjësia, na dërgoni aeroplanët”, ka thënë Zelensky.

I pyetur si e sheh Moska ofertën polake, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se kjo do të krijonte “një skenar potencialisht të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

(REL)