Zelenskyy në Parlamentin Evropian: Dëshmojeni që jeni me ne!

Bruksel, 1 mars 2022 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, përmes një video-fjalimi në një seancë urgjente të Parlamentit Evropian, i kërkoi Bashkimit Evropian të dëshmojë se është me Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

Ligjvënësit evropianë, shumë prej të cilëve ishin të veshur me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, e pritën me duartrokitje të gjata fjalimin e presidentit të Ukrainës.

“Dëshmojeni që jeni me ne. Dëshmojeni që nuk do të na lini vetëm. Dëshmojeni se jeni evropianë dhe që jeta do të fitojë mbi vdekjen dhe drita do të fitojë mbi errësirën”, tha presidenti Zelenskyy.

This image has an empty alt attribute; its file name is Seanca-per-Ukrainen-ne-Parlamentin-Evropian.jpg

Udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian e dënuan agresionin e Rusisë dhe u zotuan se do të vazhdojnë mbështetjen ndaj Ukrainës, përfshirë edhe diskutimin e kërkesës së saj për integrim, ndonëse, siç thanë ata, kjo është një rrugë e gjatë.

“Para pak çastesh, presidenti Zelenskyy na shikoi në sy. Ai hapi zemrën e tij dhe e bëri një njoftim të cilin tani e kemi marrë zyrtarisht: kërkesën që Bashkimi Evropian të njohë zyrtarisht se Ukraina është një vend kandidat. Do të na takojë neve, si Bashkimi Evropian, të veprojmë në përputhje me kohën. Do të jetë e vështirë. Ne e dimë se ka pikëpamje të ndryshme në Evropë, ka pikëpamje të ndryshme për këtë temë dhe do të jetë në dorën e Komisionit Evropian që të të nxjerrë një opinion mbi bazën e të cilit Këshilli do të marrë përgjegjësitë e tij. Këshilli do të duhet të shikojë seriozisht disa kërkesa simbolike politike dhe legjitime që janë bërë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke theksuar se nën sulm nuk është vetëm Ukraina.

“E drejta ndërkombëtare, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, demokracia, dinjiteti njerëzor janë gjithashtu nën sulm. Ky është terrorizëm gjeopolitik, i pastër dhe i thjeshtë. Ne duhet të mbështesim Ukrainën. Ne duhet të mbrojmë paqen. Ne duhet të mbrojmë demokracinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha zoti Michel.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mënyra se si Perëndimi i kundërvihet asaj që po bën Rusia do ta përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar.

”Burra, gra e fëmijë po vdesin edhe një herë, sepse një udhëheqës i huaj, Presidenti Putin, vendosi që vendi i tyre, Ukraina, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Dhe ne kurrë, kurrë nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë dhe kurrë, kurrë, nuk do ta pranojmë atë”, tha ajo.

Bashkimi Evropian iu bashkua sanksioneve amerikane dhe aleatëve të tjerë perëndimorë dhe, për herë të parë në historinë e tij, vendosi të blej dhe të dërgojë armë dhe pajisje ushtarake për ta mbështetur Ukrainën.

“Tani do të shtojmë të paktën edhe 500 milionë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian për të përballur pasojat humanitare të kësaj lufte tragjike në Ukrainë dhe kujdesin për refugjatët”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

https://twitter.com/vonderleyen/status/1498646161334358021?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1498646161334358021%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F6464784.html

Disa vende evropiane njoftuan planet e tyre për të dërguar ndihma dhe armë në Ukrainë. Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për nj ndihmë ushtarake dhe humanitare prej 6.4 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se ditëve të ardhshme pritet edhe më shumë mbështetje për Ukrainën.

“Sepse në fund të fundit, ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm atdheun e tyre, familjet dhe tokën e tyre, por ata po e mbrojnë lirinë e të gjithë neve. Ata po mbrojnë rendin ndërkombëtar dhe rregullat sipas të cilave ne jetojmë, kështu që ata janë në vijën e parë të asaj që është me të vërtetë një luftë globale dhe me të vërtetë u detyrohemi atyre të tregojmë solidaritetin dhe mbështetjen tonë”, tha ai. 

Ambasadori amerikan tha se duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet për t’i dhënë fund konfliktit dhe për t’u siguruar që lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, të dështojë. Ai tha se lufta ishte paramenduar dhe planifikuar prej muajsh nga presidenti Putin dhe Kremlini asnjëherë nuk ishte serioz për diplomacinë.

Ambasadori Carpenter tha se në selinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë nuk ka më punë të zakonshme.

“Të gjithë janë të përqendruar në luftën në Ukrainë dhe si mund të ndihmojmë? Si mund të dokumentojmë shkeljet e të drejtave të njeriut? Si mund të shohim për krimet e mundshme të luftës dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ne gjithashtu duhet t’i dokumentojmë dhe regjistrojmë këto për të ardhmen, në mënyrë që të ketë llogaridhënie”, tha ai.

Zyrtarë dhe vëzhgues të pavarur thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, e arriti atë që për shumë dekada nuk kishte ndodhur, unitetin e Perëndimit.

(Zëri i Amerikës)