Zeneli: Nuk mund ta lemë Kosovën jashtë “Open Balkan”, Serbia luan me dy porta

Ambasadori Bashkim Zeneli ka analizuar nismën ‘Open Balkan’ dhe atë çka pritet të ndodhë në 3 dhe 4 nëntor në Beograd

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ diplomati tha se rajoni ka nevojë për pajtim.

Ai tha se kjo iniciativë është e cunguar, pasi përjashtohen disa vende të rajonit, siç është dhe Kosova. Ndër të tjera Zeneli tha se kancelarja Merkel do t’i mungojë rajonit dhe mbarë Europës.

“Pavarësisht nga emërtesat, mendoj se bashkëpunimi në rajon është i domosdoshëm. Rajoni është dhe ka qenë me probleme në sherret e vjetra, ndaj bashkëpunimi është i domosdoshëm. Ka nevojë për pajtim. Në këtë kuadër, nëse e ka emrin ‘Ballkani i hapur’ apo një emër tjetër, s’ka rëndësi. Në rajon ka mbingarkesë me këto lloj iniciativash. Kujtojmë që nga vitet 97 është nisma për stabilitetin e rajonit që u firmos në Gjermani. Pastaj janë nismat për detin Adriatik, apo për Detin e Zi. Po t’i marrim këto nisma, s’kanë pasur produktivitet. Rajoni në vend që të ecë përpara, ka bërë dhe hapa pas. Po të shohim situatën në Mal të Zi dhe në Bosnjë. Është një Serbi që po luan me dy porta, herë puthet me Rusinë dhe i shkel syrin Europës. Ka investime të jashtëzakonshme nga Kina, që është potencialisht e rrezikshme për rajonin. Pse duhet të shkojmë në Beograd? Kërkohet më shumë transparencë.

 

 

S’e dimë nëse do të ketë marrëveshje. Jashtë kësaj nisme është Kosova, dhe Mali i Zi dhe shtete të tjera. Serbia nuk lejoi që të kalonin sportistët në kufi vetëm për një etiketë në tutat e sportistit. A duhet të bashkëpunojnë kaq ngushtë? Duke anashkaluar Kosovën. Raportet tona me Serbinë s’duhet të jetë të mira, duke lënë jashtë Kosovën. S’mund të heshtim para politikës së Vuçiç për të anuluar njohjet e Kosovës dhe të bëjmë sikur nuk po ndodh asgjë. Unë mendoj se në mënyrë të organizuar, apo aktive, më duket se po lobojmë kundër. Kemi një Serbi që ndërhyn aq brutalisht në Bosnjë, apo në Mal të Zi, ndaj ne nuk duhet të heshtim. Ne s’mund të themi që Serbia të bëjë ç’të dojë. Duhet të dimë se mbi ç’bazë bëhet bashkëpunimi. Ky moment është i tillë që më duket se Ballkani është larg integrimit, pavarësisht deklaratave që bëhen nga vendet aspirantë por dhe nga BE. Vetë BE në raportet me rajonin, jo vetëm që është i vonuar, punojnë me vesh dhe jo me partitura. S’kam ndonjë pritshmëri nga ‘Open Balkan’ pasi s’ka dhe transparencë.”, -pohoi ambasadori.

Duke u ndalur te dorëheqja e Zoran Zaev nga detyra e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zeneli tha se pas këtij vendimi fshihet diçka.

“Pas asaj dorëheqje mund të fshihet diçka. Do parë në raport me ndikimet e huaja, qofshin ato ruse, apo kineze, pasi nuk janë të pakta në rajonin tonë.”, tha Zeneli.

(BalkanWeb)