Podgoricë, 1 nëntor 2023 – Opozita në Mal të Zi nuk beson në premtimet e Qeverisë së re të Malit të Zi, pavarësisht se ajo udhëhiqet nga një parti pro-evropiane. Edhe opozita shqiptare nuk është optimiste se kjo qeveri do t’u sjellë ndonjë të mirë shqiptarëve, edhepse në përbërjen e saj janë edhe tre ministra shpiptarë.
Kryetari i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Mehmet Zenka, i cili është deputet i Kuvendit të Malit të Zi, mendon se kjo qeveri nuk mund t’i ofrojë vendet perspektivë të mirë. Ai ka thënë se në këtë qeveri do të ketë përplasje mes bllokut pro-evropian dhe bllokut pro-rus.
“Janë duke u ballafaquar rryma të ndryshme politike. Mali i Zi është në thyerje e sipër, a do të anojë kah politikat serbo-ruse apo do të anojë kah Evropa. Shumica e përbërjes së kësaj qeverise janë rusofilë apo serbfil”, ka thënë Zenka.
Ai ka thënë se frymën pro-evropiane të cilën e proklamon kryeministri i ri, Milojko Spajiq, do të sfumohet nga blloku pro-serb e pro-rus i kryetarit të Kuvendit, liderit të Frontit Demokratik, Andrija Mandiq.
“Ata (deputetët e Frontit Demokratik) mund të ndërrojnë rrugë, por qëllimi i tyre mbetet i njëjtë, e ky është shpërbërja e shtetit të Malit të Zi dhe krijimi i të ashtuquajturës ‘botë serbe’”, ka thënë Zenka.
Ai ka thënë se nuk beson që kjo qeveri do t’u sjellë ndonjë të mirë shqiptarëve, edhepse në përbërjen e saj janë edhe tre ministra shpiptarë.
“Nuk e shoh se shqiptarët kanë vend në këtë përbërje apo koalicion, i cili nuk sjell asgjë të mirë për shqiptarët dhe nuk premton asgjë për pakicat”, ka thënë ai.
“Andrija Mandiq, i cili është vojvodë i çetnikëve, i cili hiç më larg se para disa muajve u vinte shqiptarëve etiketa të ndryshme. Ai është një antishqiptar që ka ppromovuar politika antishqiptare. Ai është kryetar i një koalicioni që gjatë zgjedhjeve deklaronte haptas se në rast të fitores së tyre do të kërkonin tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës, sepse ata e shohin Kosovën si ‘shtet terrorist’”, ka thënë Zenka.
Sipas tij, kësaj qeverie nuk u besojnë as partitë e komuniteteve tjera etnike.
“Nuk është vetëm partia ime kundër. Janë edhe partia boshnjake dhe kroate, pasi në këtë qeveri mbizotëron fryma pro-serbe dhe pro-ruse. Nuk shoh që na presin ditë të mira. Na pret luftë e madhe politike në Mal të Zi”, ka theksuar Zenka.
(r.m.)