Moskë, 10 qershor 2024 – Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua të hënën me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë, ku ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore.
Qeveria e Serbisë tha në një njoftim se Vulini “shprehu kënaqësinë që do ta vazhdojë bashkëpunimin dhe partneritetin për sigurinë e dy vendeve”.
Vulin është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
Ai u takua edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko.
Qeveria e Serbisë njoftoi se gjatë takimit me Grushkon, Vulini ka falënderuar Rusinë për “përkrahjen e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara” dhe votimin kundër Rezolutës për Srebrenicën.
Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Miratimi i Rezolutës u kundërshtua nga liderët në Serbi dhe nga entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinë, Republika Sërpska, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë thuhet gjithashtu se Vulin ndodhet në një vizitë zyrtare disaditore në Rusi.
Kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Rusi prej kur u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë, më 2 maj.
Vulin ka udhëtuar në Rusi në disa raste prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Hera e fundit ishte në prill, kur ai u takua në Shën Petersburg me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev.
Në janar të këtij viti, Vulin u nderua nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse.
Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë.
Në të kaluarën ai ka mbajtur disa poste politike, nga posti i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe e deri tek udhëheqja e dikastereve të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme dhe në fund shërbeu si kryespiun.
Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e Brukselit dhe nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
(Radio Evropa e Lirë)