Zgjedhje të reja në 6 bashki? Të martën Gj.Kushtetuese shqyrton 30 qershorin

“Gati për të hyrë në zgjedhje”,  u shpreh një dite më parë Damanin Gjiknuri, sekretar i përgjithshëm i PS-së.

Socialistet janë gati për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratet në 6 bashki. Por, një ditë pas gatishmërisë së shprehur nga selia rozë, në selinë blu askush nuk flet për zgjedhje.  Deklarata e të majtëve nuk është rrufe ne qiell te hapur.  Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin  rrugës, pasi  nuk pranonte te  njihte 30 Qershorin,  por Partia Socialiste  pret që Presidenti të  ndryshojë qëndrim pas vendimit të pritshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Të martën pritet të marrë fund konflikti për zgjedhjet vendore të vitit 2019, pasi Kushtetuesja do të mblidhet për të vendosur nëse ato ishin legjitime apo jo.  Opinioni final i Venecias që rrezoi Presidentin duke lënë në fuqi zgjedhjet vendore, të cilat opozita i bojkotoi pritet t’u lehtësojë peshën e vendimarjes 7 gjyqtarëve kushtetues.  Nëse anëtaret e kësaj gjykate do i referohen mendimit të juristëve ndërkombëtar  të cilëve u kërkuan  ndihmë, 30 qershori do të vuloset edhe nga  Kushtetuesja. Zgjidhja e këtij konflikti ligjor pritet t’i hapë dritën jeshile mundësisë së zhvillimit  të zgjedhjeve lokale  të parakohshme ne 6 bashki që kanë mbetur pa kryetar për shkak të dekriminalizimit.

Shkodra ishte bashkia e parë që hapi siparin e largimeve pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pa marrë ende detyrën, për shkak të problemeve me drejtësinë. Kryebashkiaku i  dytë socialist që ra në rrjetën e dekriminalizimit ishte Agim Kajmaku i Vorës. Të njëjtin fat pati edhe kryebashkiaku socialist i Lushnjës, i arrestuar nga SPAK për korrupsion.

Durrësi dhe Dibra mbeten pa kryetar për shkak se Dionis Imeraj  dha dorëheqjen, ndërsa një deklaratë e pamenduar gjatë tërmetit të nëntorit 2019 do i kushtonte mandatin  kryebashkiakes së Durrësit Valbona Sako. Ndarja nga jeta e Haxhi Memollës la pa kryebashkiak të zgjedhur Rrogozhinën.

Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndroje në detyre, ndërsa 5  bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.

 
 

Top Channel