Nga Xheladin Zeneli
Ashtu si zgjedhjet e tjera që janë mbajtur në të kaluarën në Shqipëri, edhe zgjedhjet e 25 Prillit të këtij viti, ndiqen me vëmendje nga shqiptarët në Mal të Zi si një interesim i tyre i natyrshëm lidhur me ate se kush do të jetë në pushtet në katër vitet e ardhshme në Shtetin e tyre Amë.
Që nga vendosja e sistemit demokratik dhe pluralist në Shqipëri para tre dekadave, shqiptarët në Mal të kanë pasur dhe gjithënjë vazhdojnë të kenë një pritëshmëri të lartë lidhur me përkujdesjen dhe interesimin e Shtetit Amë për të drejtat kombëtare të tyre.Kjo përkujdesje është e përcaktuar me Kushtetutën e Shqipërisë
(neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Me keqardhje mund të konstatohet se pa marrë parasysh cila parti ka qenë në pushtet në Shqipëri, deri më tani ka munguar një përkujdesje e tillë dhe përkrahje e duhur dhe kuptimplote nga ana e qeverive të Shtetit tonë Amë.
Derisa ka pasur vizita të vazhdueshme të krerëve të shtetit shqiptar në Mal të Zi , si dhe takime me përfaqësuesit shqiptarë në këte shtet, por që ato kanë përfunduar pa vepra apo projekte konkrete , projekte këto të cilat do të kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në aspektin ekonomik, edukativo-arsimor,kulturoro-gjuhësor dhe identitetit të tyre kombëtar.
Nëse reflektojmë pak në periudhën e viteve të pushtetit të PS-së, pra në kohën gjatë dy mandateve të kryeministrit Edi Rama, do të vërejmë se në raport më shqiptarët në Mal të Zi, ka pasur disa iniciativa dhe premtime por që nuk janë realizuar në praktikë deri më sot.
Po përmendim disa prej tyre.
Në Prill të vitit 2012 , Edi Rama ,në pozitën e kryetarit të Partisë Socialiste dhe një vit përpara se të bëhet kryeministër i Shqipërisë, zhvilloi një vizitë në Mal të Zi, me ç’rast pati takime me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Ulqin dhe në Tuz. Në takimin e tij në Ulqin me drejtuesit e atëherëshëm të Komunës së Ulqinit, kishte propozuar dhe kërkuar hapjen e një univerziteti në gjuhën shqipe në Mal të Zi për arsimimin e lartë e të rinjëve dhe të rejave shqiptare në këtë shtet. S’ka dyshim se kjo ishte një iniciativë e qëlluar e z. Rama, por për të cilën as pas tetë viteve në pushtet të PS-së dhe pas dy mandateve të Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë , deri më sot nuk është punuar në realizimin e saj.
Kurse me rastin e takimit të z. Rama në Tuz me përfaqësuesit shqiptarë , atëherë ai pat propozuar unifikimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në rajon, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave shqipe në Mal të Zi. Edhe kjo iniciativë mbeti në suazat e një dëshire. Megjithate, disa vite më vonë, përkatësisht në vitin 2015 erdhi deri te shpërdarja e 288 Abetareve Kombëtare në shkollat shqipe në Mal të Zi,të cilat ishin dhuratë (donacion) nga kryebashkiaku Erion Velijaj . Vlen të përmendet se përdorimi i këtyre Abetareve nuk u bë i obliguar, por vetëm si mjet plotësues arsimor për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore.
Për hirë të korrektësisë duhet përmendur se qeveria shqiptare gjatë kësaj kohe ka përkrahur financiarisht Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me një kontribut modest i cili ishte më shumë një gjest simbolik se sa një ndihmë e mirëfilltë financiare.
Në fund të vitit të kaluar , Tirana zyrtare paralajmëroi organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Tivar, si dhe fushatë ndërgjegjësuese për deklarimin e identitetit kombëtar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi që është i paraparë të organizohet këte vit. Mbetet të shihet pas zgjedhjeve realizimi në praktikë i kësaj iniciative.
Një mirënjohje për Edi Ramën që u harrua dhe gafat e shtetit shqiptar
Në Prill të vitit 2015, me rastin e Ditës së Ulqinit, me iniciativën e kryetarit të atëherëshëm të kësaj komune, u shpallën ” Qytetar Nderi”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bashkë me zv. kryeministrin e atëherëshëm të Kosovës Hashim Thaçi. Ishte ky një shenjë respekti që vjen, jo vetëm Ulqini por edhe nga trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi për udhëheqësit shtetëror të dy vendeve të tyre kombëtare, Shqipërinë dhe Kosovën.Por tashmë kjo është një mirënjohje e harruar.
Kurse një vit më vonë , pra në 2016, kryetari i Kuvendit të atëherëshëm të Shqipërisë, z. Ilir Meta,me rastin e 13 Korrikut, ditës së shtetësisë së Malit të Zi , i dorëzoi kryeministrit malazez Millo Gjukanoviqit në Podgoricë dekoratën e Flamurit Kombëtar, nga presidenti Bujar Nishani, dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë !
Sipas mendimit tim, kjo jo vetëm që ishte një veprim i gabuar i presidentit shqiptar, por njëkohësisht edhe një gjest i turpshëm i tij.
Zhgënjimi tjetër si dhe disa gafa të radhës erdhën me rastin e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën me 30 Gusht 2020, atëherë kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbështeti publikisht fushatën zgjedhore të Milo Gjukanoviqit dhe Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), çka ngjalli atëherë reagime të shumta në opinionin shqiptar.
Gjithashtu me rastin e atyre zgjedhjeve, ndërhyrjet e pabalancuara të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të qeverisë së tij, ndaj faktorit politik shqiptar në Mal të Zi, u vlerësuan nga një pjesë e këtij faktori politik, si veprim i pamatur i cili nuk i shërbeu unitetit por ndikoj dhe i kontriboj ndasive të mëtejshme të elektoratit të atjeshëm shqiptar.
Kush do të jetë “kryeministri i shqiptarëve “ në katër vitet e ardhshme?
Shpeshëherë kryeministri i Shqipërisë quhet “kryeministri i gjithë shqiptarëve”, sidomos nga shqiptarët që gjinden jashtë kufijëve të Shqipërisë londineze, sepse një kryeministër i tillë pritet të posedojë kualitetin e një lideri vizionar i cili çdo herë do të duhej të këqyrë interesin kombëtar e të gjithë shqiptarëve pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe gravitojnë ata.
Në zgjedhjet e 25 Prillit të cilës po i paraprinë një fushatë tepër tensionuese në mes rivalëve politik, Partia Socialiste (PS) me në krye Edi Ramën si kryeministër i Shqipërisë kërkon mandatin e tretë, të cilët garojnë kundër Partisë Demokratike (PD) nën drejtimin e Lulzim Bashës ,Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe disa parti të tjera të vogla.
A do t’i besohet PS-së dhe Edi Ramës mandati i tretë apo PD-së me në krye Lulzim Bashën dhe aleatëve të tij politik, këte do ta përcaktojnë qytetarët shqiptar me votën e tyre në këto zgjedhje.
Kurse për shqiptarët në Mal të Zi mendoj se është pak e rëndësishme se cila parti apo kualicion do të fitoi zgjedhjet e 25 Prillit Shqipëri. Por ata , pra shqiptarët në Mal të Zi, janë më shumë të interesuar që nga këto zgjedhje të dal një qeveri dhe kryeministër i cili do të jetë i ndijeshëm ndaj nevojave dhe kërkesave të tyre, një qeveri dhe kryeministër i cili do t’i kushtojnë një vëmendje më serioze problemeve të tyre duke ushtruar të drejtën e vet kushtetuese në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të asaj pjese të popullit të vet që jetojnë jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë.
Shqiptarët në Mal të Zi të cilët vazhdimisht janë të rrezikuar dhe të kërcnuar nga shpopulimi i trojeve të tyre etnike, tkurrja demografike , ç’kombëtarizimi dhe asimilimi , kanë nevojë më shumë se kurr për një qeveri dhe kryeministër të ndërgjegjësuar kombëtar në Shtetin e tyre Amë.