Zgjedhjet e pjeshshme lokale në Shqipëri: PS prin në 5 bashki, Shtëpia e Lirisë në Shkodër

Tiranë, 7 mars 2022 – Në Shqipëri vazhdon numërimi i votave të zgjedhjeve të pjesshme lokale, të cilat u mbajtën të dielën në 6 bashki të vendit. Partia Socialiste rezulton fituese në të paktën 2 prej tyre, në Vorë dhe në Rrogozhinë, ku procesi i numërimit ka përfunduar, dhe udhëheq me diferencë të konsiderueshme në 3 bashki të tjera (Durrës, Lushnje e Dibër). Ndërkaq në Shkodër udhëheq binshëm Bardh Spahia, kandidat i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, të inicuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas rezultateve të deritashme, kandidatët e zotit Berisha kanë siguruar ndjeshëm më shumë vota se kandidatët e Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, përveç në Rrogozhinë.

Rezultati i zgjedhjeve përkryetar të bashkisë së Vorës u shpall qysh mbrëmë, pasi atje u aplikua votimielektronik. Kandidati socialist Blerim Shera mori 69.9 për qind të votave, kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Lulzim Vrana, i fitoi 24.3 për qind, ndërsa kandidati i PD-së, Ymer Marku, i mori vetëm 6.29 për qind.

Në Rrogozhinë, socialistët arritën të marrin 60.73 për qind të votave me kandidatin e tyre Edison Memolla, kandidati i PD-së, Ferdinand Saraçi, i mori 21.96 për qind, ndërsa kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Hekuran Xhani, i mori 17.31 për qind.

Shkodra, pavarësisht përçarjes të së djathtës, duket se sërish ka zgjedhur t’i besojë asaj. Në këtë bashki, historikisht të drejtuar nga e djathta, kur janë numëruar më shumë se 60 për qind e kutive, udhëheq me mbi 43 për qind kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Bardh Spahia,  i ndjekur nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni me 39.7 për qind, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati ka 16.6 për qind.

Në Durrës, një tjetër qytet i madh dhe i rëndësishëm, socialistët janë në epërsi. Kur janë numëruar mbi 60 për qind e kutive të votimit, shihet tendenca për fitoren e kandidates  socialiste Emirjana Sako, e cila ka  fituar 57.7 për qind të votave. Në vend të dytë renditet kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka, me 28.97 për qind, ndërsa kandidati i PD-së, Luan Hoti, i ka vetëm 13.3 për qind.

Socialistët duket se do ta udhëheqi edhe bashkinëe Lushnjës. Numërimi i votave që është afër përfundimit e nxjerr  të parën kandidaten e tyre, Eriselda Sefa, me 57.9 për qind të votave. I dyti renditet Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë me 32.4 për qind, kurse i treti është Indrit Sefa i PD-së me 11.26 për qind të votave

Edhe në bashkinë e Dibrës socialistët prijnë me një diferencë të ndjeshme. Kandidati i tyre Rrahim Spahiu deri më tash është i pari me 63 .07 për qind të votave. Pas tij vjen Shpëtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë me 19 për qind, kurse Luan Haka i PD-së i ka 17.5 për qind të votave të numëruara deri tashti.

Në zgjedhjet e pjesshme locale mori pjesë një numër shumë i vogël votuesish. Sipas KQZ-së në votim morën pjesë vetëm pak më shumë se 30 për qind të votuesve.

Sipas analistëve, kjo pjesëmarrje kaq e ulët nuk është e papritur,  duke qenë se kryetarët e këtyre 6 bashkive kanë mandat më pak  se 6 muaj dhe votuesit tashmë e kanë humbur besimin se votimi i tyre mund të sjellë ndryshimet për të cilat ata kanë nevojë.

(r.m.)