Prishtinë, 14 nëntor 2021 – Partitë opozitare në Kosovë po e festojnë fitoren e madhe të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
Sipas rezuktateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve partitë në opozitë dolën fituese në 16 komuna, ndërsa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi vetëm në 4 komuna.
Numrin më të madh të kryetarëve të komunave e fitoi Partia Demokratike e Kosovës. Në mandatin e ardhshëm qeverisës ajo do të udhëheqë në 9 komuna. Katër prej tyre i kishte fituar në raundin e parë të zgjedhjeve, më 17 tetor, kurse 5 të tjerat i fitoi në balotazhin që u zhvillua të dielën (Prizrenin, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun dhe Dragashin).
Fituese e madhe e zgjedhjeve është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo arriti fitore të madhe në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë. Kandidati i saj, arkitekti që erdhi nga Londra, Përparim Rama, arriti fitore ndaj kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, ministrit të deritashëm të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili konsiderohej favorit absolut.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve Lidhja Demokratike e Kosovës doli fituese edhe në 4 komuna të tjera (Fushë Kosovë, Istog, Viti dhe Junik). Bashkë me dy komunat që i kishte fituar në raundin e parë të zgjedhjeve, kjo parti do t’i udhëheqë gjithsej 7 komuna.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arriti fitore solide në zgjedhjet për kryetarë të komunave. Kandidatët e kësaj partie do të qeverisin në 5 komuna. Në raundin e parë të zgjedhjeve ata kishin fituar në 2 komuna (Suharekë e Deçan), ndërsa në balotazh fituan në 3 komuna (Gjakovë, Rahovec e Klinë).
Partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të ruajë besimin që e kishte fituar në zgjedhjet parlamentare, në të cilat i kishte fituar mbi 50 për qind të votave. Në mandatin 4 vjeçar të qeverisjes lokale ajo do t’i udhëheqë vetëm 4 komuna (Gjilanin, Podujevën, Kamenicën dhe Shtimen).
Dy parti fituan në nga një komunë. Nisma Socialdemokrate fitoi në Malishevë, ndërsa Partia Demokratike e Turqve të Kosovës fitoi në Mamushë.
Por, numrin më të madh të kryetarëve të komunave e ka fituar Lista Serbe. Kandidat e saj do të udhëheqin në 10 komunat me shumicë serbe. 9 prej tyre kishin fituar në raundin e parë të zgjedhjeve, ndërsa i dhjeti (Kllokotin) fitoi në raundin e dytë.
E veçanta e zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Kosovë është edhe fitorja e kandidatit të Nismës Qytetare për Obiliqin (Xhafer Gashit).
Kandidatët e të gjitha subjekteve politike që garuan për kryetarë të komunave, pavarësisht se fituan apo humbën, dëshmuan kulturë të lartë demokratike. Pas publikimit të rezultateve paraprake, pothuajse të gjithë hunmbësit ua uruan fitoren kundërkandidatëve të tyre, ndërsa fituesit shprehën respekt për të humburit.
Njëjtë vepruan edhe liderët e partive politike, të cilët i vlerësuan zgjedhjet lokale në Kosovë si zgjedhje shembullore për të gjitha vendet e rajonit, madje edhe për shumë shtete medemokraci të konsoliduar.
Edhe gjatë fushatë zgjedhore subjektet politike dhe kandidatët e tyre, si për kryetarë komunash ashtu edhe për asambletë komunale, shprehën respekt e tolerancë për rivalët e tyre politikë. Pra, partitë dhe kanndidatët e tyre kanë një meritë të jashtëzakonshme që zgjedhjet lokale në Kosovë (më 17 tetor dhe më 14 nëntor) u zhvilluan në mënyre të qetë dhe pa asnjë incident serioz që do të deformonte procesin zvgjedhor.
(Ramadan Muçolli, Illyria)