Shkup, 17 tetor 2021 – Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut ka nisur me probleme teknike, të cilat kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Aleksandar Dashtevski, ka thënë se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.
“Me kalimin e kohës, gjendja me aparatet po përmirësohet dhe tani janë një numër i vogël i vendvotimeve ku kemi ende probleme”, ka deklaruar Dashtevski.
Ai ka bërë të ditur se procesi i votimit në vendvotimet ku kapasur probleme të kësaj natyre do të zgjasë edhe pas orës 19:00, për aq kohë sa ka pasur ndërprerje, por jo më shumë se tre orë.
Edhe komisionerët në qendrat e votimit kanë thënë se po përballen me shumë probleme teknike, pasi aparatet për identifikimin e shenjave të gishtit nuk po ua lexojnë të dhënat personale një pjese të konsiderueshme të votuesve.
“Procesi zgjedhor këtë vit po rrjedh më ngadalë, për shkak të aparatit të leximit të shenjave të gishtave. Kjo shkakton revoltë te qytetarët në rastet kur nuk mund të identifikohen” ka thënë për Radion Evropa e Lirë Enver Shabani, komisioner në një qendën votimi në komunën e Çairit të Shkupit.
Mimoza Radevska nga një qendër votuese në komunën Qendra të Shkupit ka thënë se problemet me aparatet për identifikimin e votuesve po e ngadalëson procesin e votimit.
“Aparati tregon se është i dobët kualiteti i shenjave të gishtave. Dhe në atë rast vazhdon votimi me identifikimin përmes kartës së identitetit ose pasaportës dhe përdoret llampa me rreze ultravjollcë dhe spreji ndërkohë që shenja e gishtit tregues vendoset në një listë të veçantë”, ka thënë ajo.
(r.m.)