Zgjedhjet në Gjermani: Koalicioni CDU / CSU del fitues, AfD-ja e dyfishon mbështetjen

Berlin, 23 shkurt 2025 – Aleanca konservatore gjermane CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës në Gjermani. Sipas rezultateve paraprake, ky koalicion i ka firuar 28.5 deri 29 për qind të votave.

Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5  deri 20 për qind të votave, që do të thotë se mbështetja e saj është dyfishuar krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Partia Socialdemokrate e kancelarit në detyrë, Olaf Scholz, ka dalë e treta, me 16,5 për qind të votave, kurse Të Gjelbrit I kanë fituar afër 12 për qind.

Lideri i Kristian Demokratëve (CDU) Friedrich Merz e shpalli fitoren e koalicionit CDU/CSU.

“Faleminderit që keni besuar tek ne dhe tek unë personalisht, duke qenë se e di se çfarë do të thotë kjo, çfarë përgjegjësie është kjo. Unë e di peshën e punës që kemi përpara nesh dhe do ta marr me respektin më të madh”, tha ai.

Merz tha se vendi ka nevojë që qeveria e re të krijohet sa më shpejt. Ai shprehu bindjen se qeveria e re do të krijohet para festës së Pashkëve

“Bota jashtë nuk do të na presë. Tani ne do të flasim me njëri-tjetrin dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Jam i sigurt se deri në Pashkë do ta kemi formuar qeverinë. Evropa pret që ne të kemi një qeveri të forte, shumë shpejt”, tha ai.

“Sonte do të festojmë, nesër do ta nisim punën”, theksoi Merz.

Kancelari Olaf Scholz e pranoi humbjen dhe e uroi Merzin për fitoren.

“Ky është një rezultat i hidhur zgjedhor për Partinë Socialdemokrate”, u tha ai anëtarëve të partisë, në Berlin.

“Doja që rezultati të kishte qenë më i mirë, por ne mund të luftojmë për rezultate më të mira zgjedhore në të ardhmen,” shtoi ai.

Scholz njoftoi se ai nuk do të marrë pjesë në negociatat për formimin e koalicionit të ri qeverisës me bllokun konservator CDU/ CSU dhe as në qeverinë e re.

 “Unë nuk do të jem përfaqësues i SPD-së në një qeveri federale të udhëhequr nga CDU, as nuk do ta negocioj atë”, tha Scholz.

Liderja e AfD-së, Alice Ëeidel, u shpreh e kenaqur me rritjen e partisë që e drejton.

“Ne i kemi dyfishuar votat tona, ndërsa të tjerët i humbën gjysmën e votave të tyre”, u tha ajo mbështetësve të saj.

Ajo shprehu bindjen se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen shumë shpejt nëse AfD nuk përfshihet në koalicionin e ri qeverisës.

“Nëse CDU e tradhton manifestin e saj dhe bashkëpunon me të majtën, atëherë mund t’ju siguroj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të shpejta se sa pritej dhe ne do ta kalojmë CDU-në dhe do të jemi partia më e madhe”, tha ajo.

CDU/CSU pritet ta formojë qeverinë bashkë me SPD-në dhe Të Gjelbrit. Të tria këto kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me AfD-në.

(r.m.)