Zgjedhjet në katër komunat veriore: VV fiton në dy komuna, PDK-ja në dy të tjerat

Prishtinë, 23 prill 2023 – Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka shpallur fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Leposaviqit dhe të komunës së Mitrovicës Veriore, të cilat u mbajtën të dielën.

Deputeti i VV-së, Armend Muja, ka thënë se kandidati i kësaj partie në Mitrovicën Veriore, Erden Atiq, i ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërsa kandidati i saj në Leposaviq, Lulzim Hetemi, i ka marrë votat e mbi 70 për qind të votuesve.

Erden Atiq, në një adresim përmedie, ka thënë ai do të jetë kryetari i ri i komunës së Mitrovicës Veriore.

“Do të jem kryetar i komunës, i të gjithë qytetarëve, pa dallim. Na presin punë të mëdha përpara. U bëj apel të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionin e komunës dhe në mua si kryetar i komunës”, ka thënë ai.

Atiq ka thënë se ai do të bashkëpunojë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.

Ndërkaq, dy komunat tjera veriore të Kosovës, Zveçan dhe Zubin-Potok kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas informacioneve nga qendrat e votimit, kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, i ka marrë 196 vota, ndërsa Flatron Hasani i VV-së I ka marrë 180 vota. Ndërsa në zgjedhjet për kryetar të komunës së Zveçanit, kandidati i PDK-së, Ilir Peci, i ka fituar 114 vota, kurse kandidati i VV-së, Fetah Peci, i ka marrë 73 vota.

Komisioni Qendror i Zghjedhjeve (KQZ) beri të ditur se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut votuan 1.567 votues. Kjo shifër përbën vetëm 3.47 për qind nga gjithsej 45.095 votues që gjendenn në listat e votuesve,

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së në Mitrovicën Veriore kanë votuar 837 qytetarë apo 4.62 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në Leposaviq kanë votuar 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin-Potok kanë votuar 385 votues apo 5.78 për qind e votuesve, kurse në Zveçan kanë votuar 204 qytetarë apo 2.92 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Këto zgjedhje janë bojkotuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Klosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi. Kjo parti ka qeverisur në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, deri në muajin nëntor, kur kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje, pas vendimit të sugjeruar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës në nivelin qendror dhe ato të nivelit lokal në katër komunat veriore.

Ky vendim ishte marrë në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve të serbëve të Kosovës që janë regjistruar në mënyre të paligjshme nga organet shtetërore të Serbisë. Ky vendim i qeverisë së Kosovës, i cili përfshinte edhe zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara në Serbi me targa legale të Republikës së Kosovës (RKS) ishte shkak për bllokimin e rrugëve në pjesën veriore të Kosovës për rreth dy javë. Zhbllokimi i rrugëve u bë pas pezullimit të vendimit të qeverisë, I cili u bë me sugjerim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(r.m.)