Zgjedhjet në New York: Qytet demokratësh, por jo aq i majtë sa duket

Nga Ruben Avxhiu

Në metropolin gjigand amerikan, 90% e njujorkezëve me “tesera” partie, janë Demokratë dhe vetëm 10% Republikanë. Në zgjedhjet presidenciale, kandidatët demokratë e kanë fitoren në xhep. Disa zona në Manhattan janë në krye të listës së donatorëve të Partisë Demokrate në rang vendi. Nga ky qytet dalin politikanë super të majtë si Alexandra Octavia Cortez. Mirëpo, kur vjen puna për të zgjedhur kryebashkiakun, qytetarët i bëjnë llogaritë ndryshe.

Shembulli më domethënës është zgjedhja për 20 vjet rrjesht e një kryebashkiaku republikan: Rudy Giuliani për dy mandate, Michael Bloomberg për tre mandate. Pas një “pushimi” me Bill de Blasion, njujorkezët duket se po i largohen përsëri të majtës kur vjen puna për të zgjdhur njeriun që administron qytetin.

Dje u mbajtën zgjedhjet brenda partive. Vëmendja ishte pothuajse e përqendruar në Partinë Demokrate. Nga katër kandidatët kryesues, vetëm një kishte mbështetjen e të majtës.

Pas numërimit të shumicës së votave, kryeson Eric Adams, një ish-oficer policie që kishte në qendër të fushatës së tij luftën kundër krimit në New York.

Katherine Garcia, gruaja që mund të bëhet hispanikja e parë kryebashkiake në historinë e New York-ut fitoi në zonat më të pasura të qytetit, u radhit e treta duke sfiduar injorimin dhe sulmet nga e majta. Andrew Young, që solli bujë, publicitet, dhe pak tabloidizim në garën për kryebashkiak, fitoi urrejtje me pasion nga shumë aktivistë progresistë dhe përfundoi në vend të katërt, kryesisht me votat e aziatiko-amerikanëve.

E vetmja kandidate që gëzoi mbështetjen e hapur të të majtës, sidomos të kongresistes AOC ishte Maya Wiley që doli në vend të dytë. Por edhe Wiley ishte një zgjedhje me më shumë formë sesa përmbajtje. Si zyrtare e Administratës de Blasio ajo nuk ka treguar ndonjë përkushtim për shumë nga temat që gjenerojnë mbështetje në radhët e të majtës amerikane. Në një kohë, kur e majta në New York ka shpenzuar më shumë se një vit në betejë për të cunguar mjetet dhe statusin e departamentit të policisë (NYPD), Wiley ka pasur për detyrë të justifikonte ligjërisht refuzimin e kryebashkiakut de Blasio për të prerë më shumë fonde uniformave blu. Ky “mini-skandal” e detyroi që në ditët e fundit të prodhonte reklama televizive me kritika e sulme të ashpra ndaj policisë.

Nga të gjithë këta, shqiptaro-amerikanët kanë bërë më shumë fushatë dhe mbledhur fonde për Eric Adams, të cilin e kanë njohur si President të superlagjes Brooklyn. Andrew Young kishte në krye të fushatës së tij një kongresist të ri që është afër shqiptarëve Ritchie Torres.

Një tjetër kandidat i majtë Scott Stringer, që ka pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët (kur ishte President i Manhattan-it, në bashkëpunim me gazetën “Illyria” vendosëm një urim gjigand për pavarësinë e Kosovës në Times Square), hyri në “listën e zezë” të shumë bashkatdhetarëve kur kërceu në kampin majtist kundër kongresistit Eliot Engel vitin e kaluar. Stringer punoi shumë në këto dy vitet e fundit për të marrë me të mirë të majtën njujorkeze, mirëpo disa akuza për ngacmime e abuzime seksuale nga dy-tre ish-të dashura ia përmbysën kandidaturën. Doli në vend të pestë me 5%.

Rezultatet e plota mund t’i shihni këtu ose në tabelë.

               Eric Adams         253,234               31.7%   

               Maya Wiley        177,722               22.3                     

               Kathryn Garcia   155,812               19.5                     

               Andrew Yang     93,291 11.7                     

               Scott Stringer     40,244 5.0                       

               Dianne Morales                22,221 2.8                       

               Raymond McGuire          18,503 2.3                       

               Shaun Donovan                17,303 2.2                       

               Aaron Foldenauer            6,755     0.8                       

               Art Chang            5,862     0.7                       

               Paperboy Prince               3,432     0.4                       

               Joycelyn Taylor 2,199     0.3                       

               Isaac Wright       1,913     0.2

Rreth 800,000 vota janë hedhur në garën mes Demokratëve. Krahasuar me më pak se 60,000 në garën republikane. Është e qartë se vetë republikanët nuk janë bezdisur të votojnë për kandidatët e tyre, duke e bërë garën mes demokratëve vendimtare këtë vit për bashkinë. Në këto kushte të pesimizmit republikan është e qartë se përpjekja për të penguar të majtën është marrë në duar nga demokratët e qendrës.

Nuk ka fitues deri në 29 qershor: Votimi me shumë preferenca

Qyteti i New York-ut po eksperimenton për herë të parë këtë vit me votën me shumë preference. Pas kandidatit të preferuar, të jepet mundësia të votosh për vendin e dytë, të tretë e deri të pestë. Nëse asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën (50%), nuk do të ketë më balotazh, por votat e kandidatiti të fundit do të shkojnë sipas preferencave te kandidatët e tjerë dhe ai do të eliminohet, pastaj do të kalohet te kandidati tjetër e kështu me radhë, derisa të dalë fituesi me mbi 50%. Kjo duket pak e ndërlikuar dhe është pak e dyshimtë sesa e drejtë është të llogariten në këtë mënyrë votat. Mirëpo nga ana tjetër ia kursen qytetit shpenzimet e një raundi të dytë.

Sipas progresistëve kjo do të ndihmojë edhe më shumë pakicat e privilegjuara. Të shohim reagimet e analizat mbas numërimit të të gjitha votave të këtij ekeprimenti të parë.

Fituesi nuk pritet që të llogaritet përpara 29 qershorit dhe nëse ka kundërshtime dhe kërkesa për verifikim dhe rinumërim procesi mund të zgjasë edhe disa javë.

Eric Adams ka një epërsi të madhe që vështirë të përmbyset, por jo të pamundur. Në fund të fundit, më shumë se një e treta e votuesve demokratë zgjodhën kandidatë të tjerë. Tani do të shihet se kë kanë preferuar në vend të dytë, të tretë e të katërt.

Një shpjegim për funksionimin e këtij sistemi është botuar edhe në gjuhën shqipe: https://www1.nyc.gov/site/democracynyc/resources/ranked-choice-voting-frequently-asked-questions-albanian.page

Marko Kepi, në vend të dytë – shqiptarët kundër shqiptarëve

Mark Gjonaj vendosi të mos kandidonte më për Këshillin Bashkiak të qytetit, duke parë me dyshim zhvendosjen majtas të partisë, por një shqiptaro-amerikan tjetër ka provuar të bëhet njeriu i dytë nga komuniteti ynë në historinë e New York-ut.

Në garën brenda Partisë Republikane në distriktin 50, në Staten Island, ai ka dalë në vendin e dytë me 27.6%, një rezultat impresionues në një konkurrim të fragmentizuar nga pjesëmarrja e pesë kandidatëve.

Kryeson David Carr me 34,5% të votave, që ka mbështetjen e këshilltarit Steve Matteo në largim. Gara është pjesë e përplasjes së dy blloqeve republikane në superlagjen e vetme njujorkeze ku republikanët kanë shumicën.

Për kuriozitet në këtë garë ka qenë edhe një shqiptaro-amerikan tjetër, Jordan Hafizi, një djalë i ri konkurrimi i të cilit duket se ka pasur më shumë qëllim dëmtimin e bashkatdhetarit të tij. Nuk dua ta paragjykoj se është i ri dhe ka të ardhmen përpara dhe ne duam sa më shumë shqiptarë që të përfshihen në zgjedhje, mirëpo asnjëherë nuk është dukur gjatë kësaj gare se ka pasur ndonjë shans për t’u zgjedhur. Ka lavdëruar këshilltarin në ikje që ka qenë tërësisht i investuar në fitoren e rivalit të Kepit, dhe në fund Hafizi ka marrë vetëm 352 vota (4.9%). Këto vota sigurisht do t’i kishin shërbyer shumë më tepër Kepit që ka qenë në garë reale dhe mund të kenë pasur edhe si efekt anësor tërheqjen e disa votuesve shqiptarë.

Ka edhe një hetim për fushatën e Marko Kepit për shkak të një formular regjistrimi të mbushur në emër të një shqiptaro-amerikani të vdekur, të cilin rivali i tij Carr si dhe Hafizi e kanë promovuar për të hedhur baltë mbi kandidaturën e tij. Me një shënim kundër Kepit është bashkuar në Facebook edhe republikani shqiptaro-amerikan Peter Lumaj, që dikur kandidoi për Senator dhe Sekretar Shtetëror në Connecticut. Ndonëse prokuroria e ka për detyrë që të hetojë rastin, një incident i vetëm mund të jetë thjesht gabim i pafajshëm sesa ndonjë strategji për manipulim votash. Përveçse nëse ka raste të tilla të tjera që nuk dihen.

Rezultatet

Kandidati             Vota      Përqindja

David Carr           2,495     34.5%

Marko Kepi         1,996     27.6%

Sam Pirozzolo    1,848     25.5%

Kathleen Sforza 550        7.6%

Jordan Hafizi      352        4.9%

Marko Kepi nuk e ka humbur garën. Si e shpjegova më lart, me systemin e votave të preferencës, nëse votuesit për kandidatë të tjerë e kanë votuar atë si zgjedhje të dytë, të tretë etj, ai mund të dalë fitues në fund të llogarisë.

Besoj do të merret vesh shpejt.

Ky është një distrikt republikanësh, që ndoshta është edhe arsyeja se pse Demokratët kanë paraqitur një kandidat që nuk është shumë popullor mes të majtës progresiste për shkak të mbështetjes së tij për policinë, politikanin veteran me origjinë arbëreshe, Sal Albanese.

Në gara të tjera

Robert Holden, demokrati i moderuar që është mik me komunitetin shqiptar dhe mbështet forcat e rendit duke kërkuar më shumë siguri në New York, për familjet dhe lagjet e qytetit, ka fituar edhe një herë garën brenda partisë së tij duke marrë pak më shumë se 53% të votës.

Do të përballet me një republikan në nëntor për postin e Anëtarit të Këshillit Bashkiak.

Në garën për postin e Presidentit të Bronx-it, për të zëvendësuar Ruben Diaz Jr, një kandidate e mbështetur nga shumë shqiptarë Nathalia Fernandez ka marrë vetëm 14% të votave.

Garën po e kryeson Vanessa Gibson, me 39,4%, e cila nëse fiton do të ishte e para afrikano-amerikane dhe grua që bëhet president në Bronx. Edhe këtu llogaritjet e preferencave të dyta, të treta e deri të e pesta do të llogariten përpara se të dalë rezultati final.