Uashington, 9 nëntor 2022 – Votuesit amerikanë shkuan të martën në qendrat e votimit, në zgjedhjet kyçe afatmesme që kërcënojnë shumicën demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, raporton CBS.
Sipas rezultateve të deritanishme, gara për senat duket të jetë e barabartë, ndërsa në garën për Dhomën e Përfaqësuesve prijnë bendshëm republikanët. Gara për Senatin është 48:48 (50 është shumica), ndërsa në garën për Dhomën e Përfaqësuesve republikanët janë bindshëm përpara demokratëve, 198:173 (218 është shumica).
Demokrati John Fetterman ka shpallur fitoren në Pensilvani dhe nëse ai shpallet fitues në këtë shtet do të ishte një fitore e rëndësishme për demokratët në Senat. Në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada gara për Senat mbetet ende e hapur, ndëkaq gara në Xhorxhia mund të shkojë në balotazh, i cili do të zhvillohej më 6 dhjetor. Ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar raportin e forcave në Senat.
Në Senat, një rol kyç e ka nënpresidentja amerikane Kamala Harris, e cila e përfaqëson faktorin kryesor dhe “numrin magjik”, 51, në favor të Partisë Demokratike.
Nga rezultati i zgjedhjeve për Senat do të përcaktohet nëse Partia Demokratike do të vazhdojë ta kontrollojë këtë organ të rëndësishëm ligjdhënës apo rolin kryesor do ta marrin republikanët.
Përveç për Senat e për Kongres, në 36 shtete federale u votua edhe për zgjedhjen e guvernatorëve.
“Edhe pse guvernatorët nuk ndikojnë drejtpërdrejt në politikën e Uashingtonit, ata kanë një ndikim të madh në politikën e shteteve të tyre dhe, shpesh, edhe në përfaqësuesit e shteteve të tyre në Kongresin Amerikan”, shpjegoi media amerikane.
Zyrtarët e zgjedhjeve paralajmëruan se në shumë shtete numërimi i votave mund të zgjasë deri të enjten.
Zgjedhjet afatmesme për Senat dhe për Kongres, ndonëse nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me presidentin e SHBA-së, ato janë një lloj treguesi i disponimit të opinionit publik amerikan ndaj presidentit aktual të SHBA-së.
(r.m.)