Në Shqipëri, Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i cili mendohet se është angazhuar në mbështetje të fushatës e Partisë Socialiste mbeti sot i vrarë në qytetin e Elbasanit.
Nga Zëri i Amerikës
Policia njofton se është vënë në pranga autori i dyshuar i vrasjes, Arbër Papleka, i angazhuar në fushatën e Partisë Demokratike. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve dhe një punonjëse e policisë, e cila sipas njoftimit zyrtar, po përpiqej të parandalonte krimin.
Mbetet e paqartë dinamika e ngjarjes. Dyshohet se mbështetës të Partisë Demokratike kanë bllokuar automjetin me të cilin lëvizte Xhuvani, dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë, pasi dyshonin se ai po lëvizte me para për të blerë vota. Sipas të dhënave ende jo zyrtare, mes palëve ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Mësohet se autori i dyshuar i vrasjes, Papleka ka deklaruar në polici se ai ka vepruar në kushtet e vetmbrojtjes.
Xhuvani ishte denoncuar dhe më parë nga Partia Demokratike, si pjesë e konfliktit mes mbështetësve të saj dhe atyre të Partisë socialiste në Elbasan gjatë festës së Ditës së Verës.
Sipas policisë “janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Tiranë, disa persona të dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen”.
Reagon ambasada amerikane
Në një deklaratë të saj për ngjarjen e ndohur në Elbasan, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri I bën “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”. Deklarata bën të ditur më pas se ambasadorja Yuri Kim “i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, përfundon deklarata