Tiranë, 22 maj 2022 – Të dielën në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike (PD).
Anëtarët e PD-së kanë votuar për njërin nga dy kandidatët për drejtues të ardhshëm të partisë: ish-kryetarin e ishkryeministrin Sali Berisha dhe Ibsen Elezin.
Mediet në Tiranë raportojnë se procesi i votimit u shty për një orë në disa vendvotime, për shkak të pranisë së madhe të anëtarëve të PD-së që kishin ardhur për të votuar.
Menjëherë pas përfundimit të votimit, komisionet kanë filluar procesin e numrëimit të votave.
Ne medie janë publikuar edhe rezultatet e zgjedhjeve në disa degë. Sipas rezultateve të para, Sali Berisha do të rikthehet në krye të partisë, 9 vjet pas dorëheqjes së tij.
Fitorja e Berishës nuk është vënë asnjëherë në dyshim nga askush që e njeh pakashumë skenën politike në Shqipëri. Në të gjitha analizat e deritashme është parashikuar fitorja e Berishës, pavarësisht prej kundërkandidatëve që do të kishte.
Zgjedhjet për kryetar të PD-së u mbajtën pas turbulencave të fuqishme që shkakoi në këtë parti shpallja e Berisha “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kulmuan me vendimin e ish-kryetarit të partisë Lulzim Basha për largimin e Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Berisha organizoi nëpër degët e partisë një fushatë kundër Bashës e mbështetësve të tij, të emërtuar “Foltorja”, ku fitoi përkrahje të madhe për largimin e bashës e të mbështetësve të tij nga udhëheqja e partisë.
Kuvendi i ftuar nga grupi i mbështetësve të Berishës, i emërtuar si “Komisioni i Rithemelimit” e shkarkoi Bashën, i cili më pas u detyrua edhe të jepte dorëheqje.
Siqodoftë, dorëheqja e Bashës nuk e ktheu qetësinë në PD. Enkelejd Alibeaj, i caktuar për kryetar të përkohshëm të PD-së, vazhdon të kontestojë Kuvendin e organizuar nga Berisha e mbështetësit e tij, rrjedhimisht edhe të strukturave të dala nga ky kuvend dhe të vendimeve të marra nga këto struktura.
Çështja e legjitimitetit dhe e të drejtës për shfrytëzimin e selisë së partisë tani është objekt gjykate, sepse të dy palët pretendojnë se janë në të drejtën e tyre.
Çështje e hapur është edhe ajo e përfaqësimit të PD-së dhe të gjithë opozitës në institucionet dhe organet politike kolegjiale. Po ashtu, edhe përfaqësimi i opozitës në procese të rëndësishme politike për vendin, siç është zvgjedhja e Presidentit të ardhëm të Shqipërisë.
(r.m.)