Zgjidhet ngërçi në Kuvendin e Kosovës, pozita e opozita merren vesh për formimin e dy komisioneve hetimore

Prishtinë, 5 maj 2022 – Kuvendi i Kosovës pritet të kthehet në normalitet, pas tensioneve dhe ngërçit që shkaktuan mosdmarrëveshjet midis pozitës e opozitës lidhur me hetimin parlamentar të menaxhimit të krizës energjetike.

Partitë opozitare dhe ato në pozitë janë dakorduar për formimin e dy komisioneve hetimore: komisionit hetimor për menaxhimin e  krizës energjetike të shpallur nga qeveria në muajin mars, siç kërkon opozita, dhe komisionit hetimor për menaxhimin e sektorit të energjisë prej  vitit 2006.

Dakordimi është arritur në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare, e cila është thirrur nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, pas protestës së opozitës brendsa sallës së mbledhjeve plenare, e cila pamundësoi punën normale të kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se të dy palët janë pajtuar me kërkesat e njëra-tjetrës, kështu që do të formohen dy komisione hetimore.

“Jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardhë të vërtetat për atë çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme, tash kemi darkordim për këtë çështje”, ka deklaruar Tahiri pas takimit.

Tahiri ka thënë se dy komisionet do të kenë agjenda dhe përbërje tëndryshme, kështu që nuk do të interferojnë në hetimet e njëri-tjetrit.

Ai ka thënë se kjo gjë duhet të kishte ndodhur para se Kuvendi të futej në ngërç për shkak të refuzimit të kërkesës së ligjshme të opozitës.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi,  ka thënë se shpreson që “sjellja e papërgjegjshme” në Kuvend ka marrë fund dhe Kuvendi do ta vazhdojë punën normalisht.

Gashi ka thënë se formimi i komisioneve të bëhet në seancën e sotme të Kuvendit.

“Pra, pritet që pas pak të votohet formimi i komisioneve hetimore dhe të vazhdojmë seancën në mënyrë të rregullt. Ne i kthehemi normalitetit në Kuvend”, ka thënë Gashi.

Lëvizja Vetëvendosje deri më sot e ka kundërshtuar kërkesën e partive opozitare për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike të këtij viti. Ajo insistonte në krijimin e një komisioni që do të hetonte menaxhimin e sektorit të energjisë që prej vitit 2006. Por, partitë opozitare këmbëngulnin në kërkesën e tyre. Ato kanë thënë se do të bllokonin votimin e të gjitha ligjeve dhe punën e komisioneve parlamentare derisa të formohet komisioni që ajo po e kërkonte.

Opozita nuk ka vota të mjaftueshme për formimin e komisionit pa mbështetjen e Vetëvendosjes, ndërsa  pozita nuk ka vota për të miratuar ligjet për të cilat kërkohen dy të tretat e votave të përbërjes së kuvendit.  

(r.m)