Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare Blerta Basholli nuk arriti të nominohet për Çmimin Oscar, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.
“Zgjoi” ishte në listën e ngushtë prej 15 filmash, ndërsa pesë finalistët që u nominuan në këtë kategori janë: “Drive my car” nga Japonia, “Flee” nga Danimarka, “The Hand of God” nga Italia, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani dhe “The Worst Person in the World” nga Norvegjia.
Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në SHBA i shpalli nominimet të martën, ndërsa çmimet do të ndahen më 27 mars.
Vitin e kaluar, “Zgjoi” ka bërë histori, duke fituar tre çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimi për filmin më të mirë, për regjisoren më të mirë dhe çmimi i publikut – që të tre kanë shkuar në adresë të “Zgjoit”.
“Zgjoi” është “një perlë që nxjerr në pah fuqinë e personazheve të tij, duke dëshmuar se asgjë nuk mund t’i ndalojë gratë në një mision”, ka shkruar “Sundance Film Festival”.
Filmi “Zgjoi”, mes tjerash, ka fituar edhe dy çmime kryesore në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival” në Spanjë. Yllka Gashi është zgjedhur aktorja më e mirë, ndërsa “Zgjoi” ka marrë çmimin “Fundos” për inovacion shoqëror.
Një film i Kosovës është nominuar për herë të parë për Çmimin Oscar në vitin 2016. Filmi “Shok”, me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughue, kishte hyrë në garë në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, por nuk kishte fituar.
(r.m.)