Kairo, 29 mars 2021 – Një anije e madhe që bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë, u zhvendos plotësisht, duke i hapur rrugë rinisjes së trafikut ujor.
“Admirali Osama Rabie, kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, njoftoi për rifillimin e trafikut të transportit në Kanalin e Suezit”, tha përmes një deklarate Autoriteti i Kanalit të Suezit.
Televizioni egjiptian tregoi pamje të anijes “Ever Given“ të pozicionuar në qendër të kanalit.
Suksesi u arrit pas përpjekjeve intensive për ta shtyrë dhe tërhequr atë me rimorkiatorë.
Anija, 400 metra e gjatë, po transportonte mbi 18.000 kontejnerë nga Azia në Evropë, kur u bllokua në Kanalin e Suezit më 23 mars.
Që atëherë, trafiku në kanal është ndalur, duke shkaktuar ndërprerje të mëtejshme të transportit global, edhe ashtu të goditur nga pandemia e koronavirusit.
Mbi 320 anije janë aktualisht duke pritur për të kaluar përmes kanalit.
Përmes tij, çdo ditë kalon transit afro një e treta e kontejnerëve botërorë.
Rreth 12 për qind e tregtisë globale të të gjitha mallrave kalojnë po ashtu përmes këtij kanali, të gjatë 193 kilometra.
(REL)