Prishtinë, 26 korrik 2021 – Sot është ditë zie shtetërore në Kosovë.
Në institucionet shtetërore flamujt janë lëshuar në gjysmë shtizë dhe aktivitetet kulturore e argëtuese janë anuluar, në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi të dielën në mëngjes, në autostradën A3, në afërsi të Sllavonski Brodit, në Kroaci.
Në këtë aksident e humbën jetën 10 shtetas të Kosovës, udhëtarë të autobusit të aksidentuar, kurse lëndime të rënda dhe të lehta trupore morën 43 të tjerë. Për fat të mirë, mjekët e spitalit rajonal në Sllavonski Brod, ku janë dërguar për trajtim të lënduarit, njoftojnë se të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet shtetërore dhe autoritetet lokale në komunat qytetarë të cilave pësuan në këtë aksident po përpiqen t’u gjenden pranë familjeve të zi, kurse qytetarët po solidarizohen me familjarët e viktimave dhe po u përcjellin mesazhe ngushëllimi.
Të dielën në mbrëmje, para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, janë ndezur qirinj në nderim të viktimave.
Autoritetet e qytetarët e Kosovës luten për të lënduarit në aksident dhe u urojnë shërim të shpejtë e të plotë. Udhëtarëve të tjerë që gjendeshin në autobusin që doli nga rruga dhe u përmbys anës rrugës përpiqen t’u ndihmojnë ta tejkalojnë gjendjen e rëndë emocionale.
Kryeministri Albin Kurti shkoi të dielën në Sllavonski Brod, për t’u njohur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve që po trajtohen në spital dhe me udhëtarët e strehuar në këtë qytet. Ai i vizitoi të lënduarit e shtruar në spital dhe u takua me udhëtarët tjerë që shpëtuan me lëndime të lehta trupore, por pësuan lëndime të rënda shpirtërore.
Kurti tha se dita e diel ishte ditë shumë e rëndë për popullin e Kosovës, ditë dhembjeje e pikëllimi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe është nisur për në Kosovë, për t’u qëndruar pranë familjarëve të viktimave dhe të lënduarve.
Udhëtarët e autobusit të aksidentuar po vinin në Kosovë nga Frankfurti i Gjermanisë. Ata ishin nisur t’I kalonin pushimet në Kosovë, bashkë me familharët, të afërmit e të dashurit e tyre.
(r.m.)