Ziadin Sela dorëhiqet nga pozita e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët

Shkup, 21 gusht 2022 – Ziadin Sela, të dielën më 21 gusht, ka njoftuar dorëheqjen nga drejtimi i partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Shkak për dorëheqjen është disfata e kësaj partie në zgjedhjet e 20 gushtit në Tetovë për asamblenë komunale.

Kjo parti nuk ka fituar asnjë vend në përbërjen e re të komunës që numëron 31 këshilltarë. Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka tetë deputet, përfshirë edhe Ziadin Selën.

“Nga ky moment marr përgjegjësinë dhe jap dorëheqjen e parevokueshme si kryetar partie. Në periudhën në vijim, organi më të larta të partisë duhet të vendosin se kush do të jetë ushtrues detyre i kryetarit të partisë”, ka deklaruar Ziadin Sela, një një konferencë për media në Tetovë.

Zgjedhjet lokale në Tetovë janë fituar nga Lëvizja Besa e cila do të ketë 12 këshilltarë, 11 Bashkimi Demokratik për Integrim, katër VMRO-DPMNE-ja, dy LSDM dhe nga një Partia Demokratike Shqiptare dhe Alternativa.

Kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu ka pranuar disfatën e partisë së tij nga lëvizja Besa, por sipas Ahmetit “më me rëndësi se fitorja janë proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut”.

Pas fitores në zgjedhje, Lëvizja Besa dhe VMRO DPMNE-ja kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

(REL)