Tiranë, 5 qershor 2022 – Flakët e zjarrit e kanë përfshirë ishullin e Sazanit të dielën në mesditë.
Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe shkurre. Një shtëllungë gjigante tymi është ngritur mbi ishull.
Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë me shpejtësi për të penguar përhapjen e zjarrit.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në terren ndodhen 61 efektivë të Forcës Detare dhe Forcës Tokësore, si edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe zjarrfikës nga Vlora.
Por, situata vazhdon të jetë shqetësuese. Në ishull gjendet një ish-repart ushtarak, prandaj ekziston rreziku i shpërthimit të municioneve të pashpërthyera.
“Si pasojë e riaktivizimit të vatrës së zjarrit në zonën jugore të ishullit të Sazanit, që prej mesditës së të dielës, 61 efektivë të Forcës Detare dhe asaj Tokësore, por edhe punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar për shuarjen e flakëve në ishull. Terreni dhe bimësia e dendur kanë vështirësuar tej mase ndërhyrjen e trupave, ndërkohë që si një ish-repart ushtarak, rrezik paraqesin dhe municionet e pashpërthyera”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Raportimet nga Sazani thonë se për neutralizimin e flakëve të zjarrit është urgjente ndërhrja nga ajri.
Me mjetet që kanë në dispozicion ekipet që po punojnë përfikjen e zjarrit e kanë të vështirë t’ia dalin.
(r.m.)