Zjarre në rrethinën e Mitrovicës, FSK-ja dhe KFOR-i ndihmojnë zjarrfikësit

Prishtinë, 23 korrik 2022 – Disa fshatra të Mitrovicës dhe të Zveçanit janë kapluar nga zjarri të shtunën rreth mesditës.

Sipërfaqe me hamullore, baroja dhe shkurre janë përfirë nga zjarri në Cërnushë e në afërsi të vendbainimit “Lugina e Diellit”, në komunën e Zveçanit, në fshatin Suhadoll të komunës së Mitrovicës Veriore dhe në fshtarat Kçiq e Zasellë të komunës së Zveçanit.

Fexhrije Pllana, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, ka thënë se njësitë e KFOR-it, FSK-së dhe Policisë së Kosovës po ndihmojnë zjarrfikësit në shuarjen e zjarreve.

“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kçiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje, duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, ka thënë ajo.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka  thënë se zjarret në komunën e Mitrovicës së Veriut nuk kanë qenë të mëdha dhe ato janë shuar shpejt nga zjarrfikësit.

“Nuk kanë qenë zjarre klasike. Ka pasur zjarre të shkaktuara nga djegia e fushave në fshatin Suhadoll, por ato i kanë shuar shpejt zjarrfikësit”, ka thënë ai.

Një zyrtar i Qendrës së Emergjencës ka thënë se ekipet e zjarrfikësve gjenden në terren dhe po organizojnë ekipet për shuarjen e zjarreve.

Sipas tij, gjendja në zonat përreth Mitrovicës është nën kontroll.

(r.m.)