Denver (Kolorado, SHBA), 31 dhjetor 2021 – Zjarret që po vazhdojnë të përhapen në Kolorado të Shteteve të Bashkuara kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe biznese. Dhjetra mijëra banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, për të evituar rrezikun nga zjarret që po përhapen me shpejtësi nga erërat e forta.
Një pjesëtar i ekipit të urgjencës e humbi jetën, ndërsa gjashtë zjarrfikës tjerë u plagosën në luftë me zjarret e vazhdueshme që shkatërruan rreth 580 shtëpi, qendra tregtare dhe hotele pranë qytetit të Denverit në shtetin e Kolorados.
Autoritetet urdhëruan evakuimin e rreth 21 mijë banorëve të qytetit Luivill. Evakuimi u kërkua edhe për qytetin Superior që ka rreth 13 mijë banorë. Këto dy qytete ndodhen rreth 32 kilometra në veriperëndim të Denverit.
“Për momentin nuk raportohen persona të zhdukur. Kemi njoftime për një viktimë. Duke pasur parasysh ashpërsinë dhe shtrirjen e zjarrit, nuk do të befasoheshim nëse gjejmë më shumë viktima”, tha Sherifi i Qarkut Boulder, Joe Pelle, ndërsa shtoi se shpejtësia e erërave arrin deri në 170 kilometra në orë.
“Siç mund ta imagjinoni, rrugët që përdoren për evakuim ishin shumë të ngarkuara. Kemi sherifë, policë, roje kombëtare dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit, që po ndihmojnë shoferët të largohen nga zona dhe të mbajnë hapur rrugët e evakuimit”, shtoi sherifi Pelle.
Ai tha se zjarrfikësit kishin arritur me sukses të fiknin dhe kontrollonin zjarrin e parë, por pak minuta më vonë morën njoftimin për shpërthimin e një vatre të dytë zjarri, që u përhap me shpejtësi në lindje të vendit.
Zona e përfshirë nga zjarret ndodhet mes Denverit dhe qytetit Boulder, aty ku ndodhet Universiteti i Kolorados.
(Zëri i Amerikës)