Hagë, 6 dhjetor 2024 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se ka ngritur akuzë të re ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Tani ai akuzohet edhe për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë.
Në njoftim thuhet se ndaj Thaçit, i cili po mbahet në paraburgim, janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
ZPS njoftoi se për të njëjtat vepra janë arrestuar Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, ndërsa për Hajredin Kuçi është lëshuar fletëthirrje për paraqitje.
Sipas aktakuzës, në periudhën midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave në objektin e paraburgimit, Thaçi dyshohet se u ka dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçit “informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë”.
“Z. Thaçi i bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe me persona të tjerë, kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si edhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Në njoftim bëhet e ditur se Smakaj, Kilajt dhe Fazliu janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe do të paraqiten për herë të parë para gjykatës të dielën, më 8 dhjetor
“ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi gjenden në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Aktualisht në Gjykatën Speciale po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte.
(r.m.)