ZPS refuzon të dorëzojë listën e dëshmitarëve në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Hagë, 21 korrik 2021 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së që t’u dorëzohet lista paraprake të dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar në sallën e gjykatës.

Kërkesa është bërë të mërkuren, në Dhomat e Specializuara në Hagë, në konferencën e gjashtë statusore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Prokuroria duhet t’ia dorëzojë mbrojtjes këtë listë, në mënyrë që ekipet e mbrojtjes të përgatiten për gjykimin.

“Ne kemi nevojë që të caktojmë përparësitë në përgatitjet tona dhe këtë mund ta bëjmë pasi  të dijmë se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria të na e dorëzojë një listë”, tha avokati Mishetiq.

“Në këtë fazë, janë 102 prej rreth 200 dëshmitarëve, për të cilët nuk kemi asnjë informacion”, tha ai.

Me këtë kërkesë u pajtuan edhe mbrojtësit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i z. Thaçi”, tha Nick Kaufman, avokat i Veselit.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kërkesa e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së është “jashtë kontekstit”.

“Kjo kërkesë e mbrojtjes është tërësisht jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”, tha prokurorja.

“Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, theksoi ajo.

Por, avokati i Thaçit tha se nuk sheh asnjë arsye përse Prokuroria e ka kaq të vështirë dorëzimin e listës paraprake të dëshmitarëve..

“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne po e shohim që prokuroria ka nxjerrë materiale, por ato nuk na tregon se cilët dëshmitarë do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na e japin një arsye të fortë se përse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, theksoi Mishetiq.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim në Hagë në nëntor të vitit 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të kryera midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Krimet të cilat u ngarkohen atyre janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në Kukës e në Cahan, në veri të Shqipërisë.

Në paraburgim në Hagë gjenden edh Sali Mustafa dhe Pjetër Shalës, edhe ata ish-pojesëtarë të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, si edhe Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ish-drejtues të organizatës së veteranëve të UÇK-së, të akuzuar për shpërndarje të materialeve konfidenciale dhe për pengim të punës së Dhomave të Specializuara.

Në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë janë krimet e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pjesëtarëve të pakicave etnike dhe ndaj rivalëve politikë, të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

(r.m.)