ZPS thotë se ka prova shumë bindëse kundër Gucatit e Haradinajt

Hagë, 14 mars 2022 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka dhënë deklaratën përmbyllëse në rastin gjyqësor ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

ZPS-ja deklaroi se të akuzuarit nuk janë mbi ligjin dhe sipas tyre dhe kjo zyrë ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre.

Në deklaratën përmbyllëse, prokurorja Valeria Bolici ka thënë nuk është kundërshtuar që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë bërë publike dokumentet konfidenciale të ZPS-së të cilat përmbanin emra dëshmitarëve të mbrojtur.

Sipas prokurorisë, provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse.

“Sjelljet e frikësimit të dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë kanë ndikuar në hetimet dhe në gjykimet ndaj anëtarëve të UÇK-së për 20 vjet. Kjo çështje është shumë unike sepse ata që janë përgjegjës për frikësimin dhe pengimin e procedurave janë sjellë që të japin llogari përpara një gjykatë të drejtësisë, po kështu sepse provat kundër të akuzuarve janë shumë bindëse, janë jashtëzakonisht bindëse. Që në fillim të këtij gjykimi, ZPS ka treguar në këtë gjykatë se sjellja kriminale e të akuzuarave është e incizuar në një numër videosh që janë transmetuar publikisht, në këto prova audiovizuale, të akuzuarit shikohen kur kryejnë sjelljet kriminale të cilat pretendohen në aktakuzë”, ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas saj, në paraqitjet publike të të akuzuarve ata kanë pranuar se po i kryejnë veprimet në mënyrë të qëllimshme që të zhbëjnë Gjykatën Speciale.

Sipas saj, prova shtesë janë paraqitur nga dëshmitarët e ZPS-së pro edhe nga ata të mbrojtjes.

(r.m.)