Zvicra e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqiri kaloi në fazën finale të Kampionatit Botëror të futbollit në Katar, ndërsa e ktheu në shtëpi Serbinë.
Në ndeshjen vendimtare të fazës së grupeve, Zvicra e mundi Serbinë 3 me 2. Golat për Zvicrën i shënuan Shaqiri, Embolo dhe Frojler, ndërsa për Serbinë shënuan Mitroviq dhe Vllahoviq.
Ashtu siç pritej, kjo ishte një ndeshje e fortë, me kthesa dhe emocione të mëdha.
Xherdan Shaqiri e dëshmoi klasin e tij në minutën e 20-të, kur i gjunjëzoi serbët me një gol të shkëlqyeshëm. Por, ekipi serb arriti të barazojë, madje edhe të kalojë në avantazh. Së pari Mitroviq e pastaj edhe Vllahoviq shfrytëzuan dy çaste pakujdesie në mbrojtjen e Zvicrës dhe shënuan për Serbinë.
Megjithkëtë, ekipi zviceran e mori veten dhe arriti të barazojë pak pa mbaruar pjesa e parë e ndeshjes. Ishte Embolo ai që e përmbylli me gol një aksion të bukur të ekipit të tij.
Golin e tretë, që rezultoi të jetë gol i fitores, Zvicra e shënoi që në minutat e parë të pjesës së dytë të ndeshjes. Golin e shënoi Freuler, në një aksion të bukur dhe me një assist të shkëlqyeshëm të Vargas.
Ekipi zviceran, i prirë nga kapiteni Granit Xhaka, e dominoi ekipin serb edhe në pjesën tjetër të lojës, por rezultati nuk ndryshoi.
Kah fundi i ndeshjes, serbët që nuk po pajtoheshin dot me humbjen i provokuan disa herë Shaqirin dhe Xhakën, në mënyrë që t’i bënin të kundërpërgjigjeshin në mënyrë josportive dhe të ndëshkoheshin nga referi.
Kah fundi, pati edhe disa momente tensionesh. Të gjithë lojtarët serbë, ata në fushë dhe ata në bankën e rezervistëve, por edhe pjesëtarët e stafit teknik, e provokuan në mënyra të ulëta e të turpshme Xhakën. Por, ai arriti ta përmbajë temperamentin e tij shpërthyes dhe të përballojë provokimet e fyerjet e serbëve.
Në përfundim të ndeshjes, derisa serbët po largoheshin kokulur nga fusha, kapiteni Xhaka, golashënuesit Shaqiri, Embolo e Freuler, bashkë me shokët tjerë të ekipit, me përzgjedhësin Murat Jakin dhe me pjesëtarët e stafit zviceran, festuan në fushë kalimin në fazën finale të kampionatit, mes 16 ekipeve më të suksesshme.
Mes festimesh, kapiteni Granit Xhaka e veshi bluzën e Ardon Jasharit, bashkëlojtarit të tij të ri në ekipin zviceran që nuk pati rastin të tregojë cilësitë e tij në ndeshjet e deritashme.
Duhet të jemi të ndershëm, ky gjest i Xhakës ishte njëfarë provokimi për serbët, duke qenë se mbiemri Jashari ua kujton atyre komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroin e Kosovës, Adem Jashari.
Kështu, përfaqësuesja e Zvicrës i bëri shqiptarët të festojnë, kudo që jetojnë, siç kanë festuar sa herë që ajo ka fituar në gara ku nuk marrin pjesë Shqipëria dhe Kosova. Shqiptarët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e re të futbollit zviceran. Ata janë pothuaj boshti kurrizor i ekipit helvetik që prej pesë kampionatesh. Në shenjë mirënjohjeje për ta, ekipi zviceran ka festuar shpesh duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, simbolin e kombit shqiptar, siç kishin festuar Xhaka e Shaqiri edhe në kampionatin e kaluar botëror në Rusi, kur, me golat e tyre, e kishin mundur dhe e kishin kthyer në shtëpi pikërisht Serbinë.
(Ramadan Muçolli)