Bernë, 13 dhjetor 2024 – Zvicra planifikon të rinovojë rrjetin e saj të bunkerëve të vjetër që u rezistojnë sulmeve bërthamore, që gjithnjë e më shumë po vlerësohen sidomos tani kur pasiguria në botë është rritur, veçanërisht pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës. Falë një ligji të vitit 1963, Zvicra është tashmë përpara fqinjëve si Gjermania. 9 milionë banorëve të saj, duke përfshirë të huajt dhe refugjatët, u garantohet një vend në një bunker për t’i mbrojtur nga bombat dhe rrezatimi bërthamor.
“Në vitet e ardhshme, Konfederata Zvicerane dëshiron të heqë disa nga kufizimet nga rregullat aktuale dhe të rinovojë disa nga bunkerët më të vjetër”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters, Louis-Henri Delarageaz, komandant i mbrojtjes civile për kantonin Vaud.
Në muajin tetor, qeveria nisi konsultimet për të bërë të mundur “sigurinë” e Zvicrës “në rast të një konflikti të armatosur”dhe planifikon një përditësojë strukturat e vjetra me një buxhet prej 250 milionë dollarësh.
“Kjo nuk do të thotë se po përgatitem për konflikt, jo, nuk është ky mesazhi, por duam që të kemi një rrjet strehmi të sigurtë dhe ne duhet t’i mirëmbajmë bunkerët dhe të sigurohemi që janë funksionalë”, thotë Louis-Henri Delarageaz.
Në fshatin Bercher, të kantonit Vaud, oficerët e mbrojtjes civile, kontrolluan një bunker që gjendet poshtë një blloku apartamentesh, në kuadër të inspektimit të detyrueshëm, çdo dhjetë vjet.
Pas kontrollit, kreu i grupit të inspektimit Gregory Fuhrer vlerësoi se në gjendjen që ishte, bunkeri ishte i papërdorshëm. “Pronarit të bllokut të apratamenteve do t’i jepet një afat një vjeçar për të rregulluar defektet, përndryshe duhet të paguajë 900 dollarë për çdo banor në një bunker publik”, u shpreh ai.
Që në 1815 kur u njoh neutraliteti i Zvicrës, ky vend nuk është përfshirë në luftra të huaja.
Ajo u pushtua nga Franca në shekullin e 18-të dhe pësoi disa bombardime ajrore gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Komandanti i mbrojtjes civile për kantonin Vaud, Louis-Henri Delarageaz tha se pasi Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022, zyra që ai drejton u përball me një rritje të thirrjeve telefonike nga banorë të shqetësuar, që kërkonin informacion mbi bunkerët.
“Papritur shumë njerëz na merrnin dhe na pyesin se “ku janë bunkerët, ku është vendi im, a është gati streha ime?” tha ai, duke shtuar se kërkesat nga ana e qytetarëve francezë për një vend në bunker, u desh të refuzohen.
Ndërsa shumica e zviceranëve kanë bunkerë privatë, disa mbështeten tek bunkerët e komunitetit. Pranë zyrës së zotit Delarageaz gjendet një nga 350 bunkerët e tillë të kantonit Vaud. Bunkerët janë mirëmbajtur, me krevate marinari dhe tualete.
Aty pranë është një qendër komandimi nëntokësore, një spital nëntokësor me një sallë operacioni dhe dushe dekontaminimi si dhe një bunker për të mbrojtur veprat e artit.
“Ne në Zvicër jemi largpamës”, thotë zoti Delarageaz.
“Ka një fjalë të urtë latine që thotë: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”, thotë ai.
(Zëri i Amerikës)