Zvogëlohet prania e policisë speciale në Banjskë, jeta po i kthehet ngadalë normalitetit

Prishtinë, 2 tetor 2023 – Në Banjskë të Zveçanit të hënën ka pasur lëvizje të njësiteve policore. Numri i forcave të Njësisë Speciale është reduktuar dhe atje ka shkuar forcat e Njesitit Për Ndërhyrje të Shpejtë.

Zëvendëskomandanti i Drejtorisë rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se këto ndryshime janë bërë pas vlerësimit se niveli i rrezikshmërisë në atë zonë është ulur.

“Kjo është bërë për shkak të nivelit më të ulët të rrezikshmërisë, pasi ka zbritur niveli i rrezikshmërisë dhe tane është i vogël. Po ashtu, është kontrolluar pothuajse e gjithë zona që të mos ketë rrezik nga mjetet shpërthyese”, ka thënë ai për Telegrafin.

Elshani ka thënë se situata në Basnjskë e në zonën përreth është e qetë dhe jeta po kthehet ngadalë në rrjedhën normale.

“Sot, për herë të parë, i kemi thirrur edhe zjarrfikësit për t’i pastruar rrugët në zonë dhe jeta dalëngadalë është duke iu kthyer normalitetit”, ka thënë Elshani.

(r.m.)