Prishtinë, 19 nëntor 2021 – Zëvendës-ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, e ka shprehur mbështetjen e tij që në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të ketë progres.
Z. Escobar, i cili është i dërguar i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, e ka shprehur këtë gjatë një bisede telefonike që e ka zhvilluar të premten, më 19 nëntor, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se z.Escobar e ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e SHBA-së që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.
Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova është e përkushtuar “për dialog parimor, ku në qendër është njohja e ndërsjellë”. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë që në Serbi dhe në rajon, “të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit Kurti, z. Escobar ka thënë se pret që së shpejti ta vizitojë Kosovën.
(r.m.)