Sarajevë, 28 korrik 2021 – Zyra e Prokurorit në Bosnjë e Hercegovinë ka thënë të mërkurën se ka iniciuar disa raste për mohues të gjenocidit në këtë shtet, të sanksionuar me Kodin e plotësuar Penal.
Kjo zyrë ka bërë tëditur se rastet janë iniciuar pas pranimit të ankesave nga qytetarët.
Zëdhënësi, Boris Grubeshiq ka thënë se ankesat janë bërë pasi Valentin Inzko, Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, e ka përdorur autoritetin e tij për të ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës, ashtu që të ndalojë dhe të ndëshkojë mohimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe shumë krimeve të tjera.
“Pas publikimit të vendimit të Përfaqësuesit tëLartë të 23 korrikut, në ditët në vijim, ne kemi nisur të pranojmë raportime nga disa qytetarë, andaj edhe rastet janë hapur”, ka thënë Grubeshiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai nuk ka treguar se sa raste janë hapur deri më tani dhe nuk ka dhënë detaje për to.
Vendimi i z. Imzkoka është publikuar në Gazetën Zyrtarë të Bosnjës të martë, ndërsa ka hyrë në fuqi sot, më 28 korrik.
Më herët, Zyra e Prokurorit kishte thënë se prokurorët do të monitorojnë deklaratat publike të individëve, partive politike apo organizatave për të parë nëse e shkelin Kodin Penal.
Ajo kishte thënë se do të vëzhgojë edhe postimet nëpër rrjetet sociale, për të zbuluar deklarata që mohojnë apo i minimizojnë rastet e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës.
Ndryshimet në Kodin Penal të Bosnës e Hercegovinës parashikojnë dënime me burg deri në pesë vjet për ata që e mohojnë gjenocidin apo që i madhërojnë kriminelët e luftës.
Përfaqësues të partive politike të Republikës Serbe kanë marrë vendim të bojkotojnë punën dhe procesin e vendimmarrjes së institucioneve shtetërore të Bosnës e Hercegovinës, përfshirë Parlamentin, Qeverinë dhe Presidencën tripalëshe.
Udhëheqës politikë të serbëve të Republikës Serbe thonë se nuk e do ta pranojnë vendimin e Inzkos.
Mirko Sharoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, ka thënë se është plotësisht e qartë se kurrë më nuk do të pranojnë asnjë vendim të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnë e Hercegovinë.
Anëtari serb i Presidencës tripalëshe të Bosnës e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve nuk do të marrin më pjesë në vendimmarrje, derisa nuk shqyrtohet se si do të anulohet ky vendim.
“Nuk do të jetoj në një shtet, ku dikush mund të marrë vendime krye më vete”, ka thënë Dodik.
(r.m.)