Zyrtarë të Speciales bastisin banesën e familjarëve të dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu

Prishtinë, 12 shtator 2023 – Zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kryer një bastisje në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodrën e Diellit” në Prishtinë, të martën në orët e mëngjesit.

Avokati i familjes, Artan Qerkini, ka treguar se zyrtarët e Speciales kanë marrë disa dokumente, transmeton Telegrafi.

“Kanë marrë disa dokumente që janë publike. Nuk kanë qenë të fshehura. Pra, bastisja ka qenë e kotë, sepse kanë mundur të merren shumë lehtë. Gjykata duhet të jetë shumë e sigurt kur kërkon prova”, ka thënë ai.

Avokati ka thënë se ai nuk mund të tregojë se çfarë janë dokumentet që janë marrë në banesë, për shkak të hetimeve.

Artan Qerkini, avokat

Artan Qerkini, avokat

Por, Fadil Fazliu, familjar i dëshmorëve Fazliu, ka treguar se në banesë janë konfiskuar: një telefon, një lap-top dhe disa fotografi familjare e shoqërore.

“Gjërat që nuk ishin në letër për t’u konfiskuar u konfiskuan”, ka thënë ai.

Fadili ka thënë se banesa është bastisur sepse ajo ka qenë një nga bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në përfundim të luftës.

“Kjo banesë ka shërbyer si bazë e UÇK-së deri në përfundim të luftës, por edhe sot është banesë e shoqërisë e shokëve tanë. Nuk ka kryeministër që nuk ka qenë këtu”, ka thënë ai.

Fadil Fazliu, familjar i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu

Fadil Fazliu, familjar i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së (OVL-UÇK-së), Faton Klinaku, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon “filmat”, në mungesë të fakteve. Ai e quan “të poshtër” Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në mungesë të fakteve, vazhdojnë me filmat e tyre. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë filluar bastisjet e banesës së familjes së heronjve Fahri e Bahri Fazliu në ‘Kodrën e Diellit’ në Prishtinë. ZPS janë të poshtër, meqenëse nuk ka shtet serioz”, kza shkruar ai në Facebook.

Fahri Fazliu dhe bashkëverimtari i tij Afrim Zhitia kanë rënë dëshmorë më 2 nëntor të vitit 1989, gjatë një shkëmbimi të zjarrit me policinë e Serbisë, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, ,.

Vëllai i Fahrut, Bahri Fazliu, ka rënë dëshmor më 7 maj të vitit 1998, në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi.

(r.m.)