Zyrtarët dhe punonjësit serbë e pezullojnë punën në institucionet e Kosovës

Prishtinë, 25 mars 2022 – Zyrtarët e Listës Serbe dhe serbët që punojnë në sistemin gjyqësor të Kosovës e kanë pezulluar punën në shenjë proteste ndaj pezullimit nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq.

Kështu ka thënë Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas protestës së serbëve në Mitrovicën Veriore.

Rakiq ka thënë se zyrtarët dhe punonjësit e institucioneve të Kosovës të komunitetit serb nuk do të kthehen në punë derisa të kthehet në punë edhe zonja Stevanoviq.

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, është pezulluar nga puna nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shkak se ajo mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, në Beograd, të martën, ku u diskutua për reagimin e serbëve dhe të Serbisë ndaj pamundësisë që serbët e Kosovës të votojnë në Kosovë përzgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe disa zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës. Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se është duke e shqyrtuar çështjen e tyre, por nuk ka marrë ende ndonjë vendim.

(r.m.)