Zyrtarët izraelitë shqyrtojnë përgjigjen e Hamasit mbi armëpushimin

Jerusalem, 4 korrik 2024 – Forcat izraelite dhe grupi militant Hebzollah me bazë në Liban kryen sulme të ndërsjella ajrore përgjatë kufirit të enjten. Sulmet e fundit të këtyre muajve kanë nxitur shqetësimin se lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë mund të kthehet në një konflikt më të gjerë rajonal.

Grupi Hezbollah tha se lëshoi më shumë se 200 raketa ndaj bazave ajrore izraelite. Sulmi i Hezbollahut bëri që autoritetet e Izraelit të lëshonin në pjesën jugore të vendit sirenat për sulmet ajrore.

Ushtria e izraelite tha se kishte interceptuar një pjesë të mirë të raketave dhe se kreu sulme ajrore ndaj pozicioneve luftarake në Liban.

Shkëmbimet e zjarrit vijnë në një kohë që zyrtarët izraelitë thanë se po shqyrtojnë përgjigjen e Hamasit lidhur me variantin e fundit të propozimit për armëpushim që do të përfshinte lirimin e të gjithë pengjeve në Gazë.

Zyra e kryeministrit Netanjahu tha të enjten se Izraeli po merrte me kujdes në konsideratë “disa ide” që Hamasi u kishte dërguar ndërmjetësuesve të Katarit.

Ndërmjetësuesit e Katarit, Egjipit dhe Shteteve të Bashkuara kanë punuar për muaj të tërë për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe që do të bënte të mundur lirimin e pengjeve dhe ndërprerjen e luftimeve. Sugjerimet që njoftoi Hamasi të mërkurën përfshinin marrëveshjen me tre faza që presidenti Joe Biden e bëri publik në muajin maj.

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë lidhur me urdhrin izraelit për evakuimin e një pjesë të madhe të Gazës jugore, që sipas OKB-së, prek me dhjetëra mijëra civilë.

Agjencia e OKB-së që ndihmon refugjatët palestinezë (UNRWA) vlerëson se rreth 250,000 persona strehoheshin në ato zona, në kohën kur u dha urdhri për evakuim.

Lufta Izrael-Hamas shpërtheu pas sulmit më 7 tetor të vitit 2023 nga grupi militant ndaj Izraelit duke vrarë rreth 1200 persona e marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.

Si pasojë e kundërpërgjigjes izraelite, deri tani janë vrarë rreth 38,000 persona sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi dhe janë rrënuar pjesë të tëra të këtij territori.

(Zëri i Amerikës)